Policia e Shtetit ka identifikuar me gjeneralitetet e sakta një 44-vjeçar shqiptar, i cili u arrestua në Greqi dhe përdorte identitet të rremë. Bëhet fjalë për Zef Preldakajn, i njohur edhe si Fran Preldakaj, i cili në shtetin grek prezantohej me emrin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, identifikimi u bë falë ekspertimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Interpolit dhe homologët e Interpol Athinës.
44-vjeçari është dënuar në Shqipëri me 22 vite burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, ndërsa akuzohet nga autoritetet greke edhe për vrasjen e dy personave në Korinth, një shtetas grek dhe një shtetase ukrainase.
Ngjarja për të cilën Preldakaj është dënuar ka ndodhur në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër.
Sipas hetimeve, ai dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, A. N. dhe B. D., kishin shkuar në subjektin e dy vëllezërve, S. V. dhe S. V., me qëllim grabitjen e xhiros ditore.
Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t’i marrë armën njërit prej autorëve, shtetasi A. N. ka qëlluar me armë zjarri ndaj të dy vëllezërve, të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Nga hetimet u provua se Zef Preldakaj kishte qëndruar te dera e subjektit për të mbuluar dhe siguruar veprimet e dy bashkëpunëtorëve të tij. Pas krimit, ai ishte larguar së bashku me ta.
Në vitin 2008, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 22 vite burg për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, kryer në bashkëpunim.
Probleme me drejtësinë 44-vjeçari ka pasur edhe në Greqi. Në vitin 2020, autoritetet greke e akuzuan për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën brenda një automjeti në Korinth.
Gjithashtu, sipas Policisë së Shtetit, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi për:
Grabitje me armë dhe shkelje të legjislacionit për armët, në vitin 2014.
Shkelje të ligjit për rregullimin e tregut të lojërave të fatit, në vitin 2013.
Posedim të lëndëve narkotike, në vitin 2005.
Identiteti u zbulua nga gjurmët biometrike
Policia bën me dije se identifikimi i plotë i 44-vjeçarit u bë përmes ekspertimit të thelluar të të dhënave biometrike, pasi ai kishte përdorur identitet tjetër në Greqi.
Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për dokumentimin e plotë të përfshirjes së tij në veprimtaritë kriminale dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Autoritetet shqiptare synojnë kthimin e tij në vend për të vuajtur dënimin prej 22 vitesh burgim të dhënë nga drejtësia shqiptare.










