Shqipëria ka në dorë vendin e parë, por ende duhet ta sigurojë atë në dy ndeshjet e mbetura të Ligës së Kombeve. Ps katër sfidave të para të luajtura në shtator dhe tetor, skuadra kuqezi ka grumbulluar 9 pikë, me tre fitore dhe një humbje, duke lënë pas dy rivalët direktë Bjellorusinë dhe Finlandën me nga shtatë pikë secila.
Për këtë arsye me një matematikë të thjeshtë, Shqipërisë i duhen katër pikë për të vulosur vendin e parë në grupin 1 të Ligës C. Për të mos rrezikuar asgjë, Maran dhe të besuarit e tij duhet të fitojnë sfidën e parë të enjten kundër Finlandës në “Air Albania”. Një sukses në këtë përballje, do ta çlironte skuadrën kuqezi përpara asaj të fundit në program më 15 nëntor ndaj Bjellorusisë në fushën neutrale në Budapest.
Në rast të një tjetër rezultati kundër finlandezëve, kuqezinjtë do të ishin të detyruar të fitonin me çdo kusht sfidën e fundit. Në panoramën e përgjithshme të kombëtares shqiptare duhet të merren parasysh edhe shifrat e tjera të shënuara deri tani, pasi skuadra e Maran është superiore jo vetëm me pikë ndaj rivalëve, por edhe me golavarazhin plus pesë, me tetë gola të shënuar dhe tre të pësuar.
Por këto janë vetëm llogari në letër. Fjalën e fundit duhet ta thotë fusha. E sigurtë është vetëm, që Shqipëria duhet të marrë tri pikët kundër Finlandës, për të prekur objektivin e saj në Ligën e Kombeve, që është vendi i parë në grup dhe ngjitja në Ligën B.

