Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka pritur në ambientet e KQZ-së ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, me të cilën diskutoi për proceset zgjedhore, reformën zgjedhore dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Përmes një reagimi, Celibashi thekson se ambasadorja ka vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, por ka nënvizuar se etapa e fundit është më e vështira dhe se reforma zgjedhore duhet të zhvillohet sa më shpejt.
“Ambasadorja theksoi se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur drejt anëtarësimit në BE, por etapa e fundit është më e vështira. Afatet janë ambicioze dhe vendit i duhet të bëjë shumë më tepër në më pak kohë. Ajo theksoi gjithashtu se Shqipëria ka gjithçka që i duhet për të arritur rezultatet. Sipas saj, rekomandimet e ODIHR-it duhet të zbatohen pas një debati të mirëfilltë, dhe reforma zgjedhore duhet të ndodhë sa më shpejt”-shkruan Celibashi.
Sipas kryetarit të KQZ-së, gjatë takimit ambasadorja ripohoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të mbështetur institucionin, ndërsa kërkoi identifikimin e fushave ku asistenca evropiane do të sillte më shumë vlerë.
“Ambasadorja ripohoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta mbështetur KQZ-në. Ajo kërkoi të identifikohen fushat ku ndërhyrja dhe asistenca e BE-së do t'i jepnin më shumë vlerë punës së institucionit.Falënderuam Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë KQZ dhe dhe nënvizuam se kjo mbështetje mund të forcohet më tej falë projekteve që po realizohen ndërkohë. KQZ-ja i ka zbatuar rekomandimet teknike, ndërsa ato me karakter politik kërkojnë vendimmarrjen e Qeverisë dhe të Kuvendit.”- vijoi ai.
Celibashi bën të ditur gjithashtu se u diskutua edhe për reformën zgjedhore dhe çështjet që ajo duhet të adresojë, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, në kushtet e afrimit të Shqipërisë me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Në emër të KQZ deklarova se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë më të mirat ndonjëherë si pasojë e afërsisë me anëtarësimin e plotë në BE. KQZ mban përgjegjësinë e vet, por zgjedhjet janë përgjegjësi edhe e të gjithë aktorëve të tjerë. Ramë dakord me Ambasadoren e BE në Tiranë se reforma zgjedhore patjetër duhet të adresojë: keqpërdorimin e burimeve shtetërore, veprimet e administratës publike gjatë fushatës zgjedhore, financimin e fushatave zgjedhore, profesionalizimin e administratës zgjedhore dhe qytetarët që nuk kanë mundësi të votojnë.
Do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në për procese zgjedhore sa më të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.”- shkruan kryetari i KQZ-së.







Komente
Komento