Balla: “Zgjedhorja” nuk shtyhet, presim deri në 30 nëntor. Veliaj të përballet vetë me drejtësinë

Konferenca e Kryetarëve u shoqërua me debate, ku Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se po bllokon qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar dhe pa u caktuar një datë për shqyrtim.
Megjithatë, pas mbledhjes me dyer të mbyllura, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se edhe të djathtët po kërkojnë të zvarrisin reformën zgjedhore.
“Grupi i PS-së s’mund të mbështesë zgjatjen e afatit. Konsensusi është 84 vota, ne i kemi dhe do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme nëse PD-ja nuk vjen. Anëtarësimin e Shqipërisë në BE s’mund ta mbajë peng askush. Unë ende shpresoj që deri më 30 nëntor do të ketë një reflektim nga PD-ja, por ligji i financimit të partive politike duhet të miratohet me çdo kusht brenda Krishtlindjeve të këtij viti. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet”.
Kreu i deputetëve socialistë komentoi edhe kërkesën e Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste të shtunën. Balla u shpreh se Veliaj duhet të përballet vetë me drejtësinë, pa përfshirë PS-në.
“Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së”.
I pyetur nëse PS-ja do t’i kërkojë leje SPAK-ut që Veliaj të flasë në mbledhje, Taulant Balla tha se kjo pyetje i takon sekretarit të përgjithshëm të partisë.
/vizionplus.tv




