Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, deklaroi sot se nëse PD nuk merr pjesë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, atëherë reforma do të kalojë vetëm me votat e socialiatëve.
Për këtë ultimatum, ka reaguar deputeti demokrat Ivi Kaso, i ftuar në emisionin Minuta e parë. Kaso u shpreh se PD nuk e ka braktisur Komisionin për Reformën Zgjedhore.
Kaso theksoi se opozita nuk shkon për fasadë në Komision, por se PD ka propozime konkrete, që janë konform rekomandimeve të OSBE ODIHR-it.
Deputeti i PD Ivi Kaso: Ultimatumi i Ballës apo Ramës a kujto tjetër, PD-së aq i bën.
Ne nuk mund të shkojmë për makijazh në Komision. Jo, jemi në situatë dramatike. Nuk ka zgjedhje të lira në Shqipëri sot. Zgjedhjet janë damkosur edhe nga OSBE ODHR-i. Komisionin nuk e kemi bojkotuar. Mbledhja u mbyll, sepse kemi të bëjmë me një mbledhje, ku rendi i ditës ishte vendosur vetëm nga njëra palë. Kështu, që mbledhja u mbyll në mënyrë krejt normale nga bashkëkryetari i Komisionit për Zgjedhoren, Oerd Bylykbashi.
Partia dhe shteti sot janë bërë një. Ne kemi propozime, zgjidhje dhe nene konkrete për të miratuar. Hajde të gjejmë konsensus, për pikat që kërkojnë ndërkombëtarët.
Edhe për Territorialen, PS sheh vetëm sesi të marrë më shumë vota. Ne jemi të bindur se Kushtetuesja do na japë të drejtë edhe për Reformën Territoriale.
Mesa di unë, Oerd Byklykbashi po i kërkon bashkëkryetarit të PS-së, që të dakordësohet një rend dite. Ne jemi seriozë në angazhimin tonë brenda datës 30 nëntor. Pastaj, në daç ta miratojnë në daç të thonë se konsensusin e kanë tek forca e kartonit, me 83 votat dhe la ta përcjellin mesazhin, se në Shqipëri mbizotëron partia-shtet.
