Pas një beteje të ashpër dhe pa rezerva, si në pistë, ashtu edhe në intervistat përkatëse për media gjatë fundjavave të garave në Meksikë dhe Brazil, dy pilotët e Ferrari, Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton u ulën më në fund për të sqaruar situatën të enjten e kaluar në Interlagos.
Takimi u organizua nga Frédéric Vasseur, i cili konfirmoi se situata mes dy pilotëve është zgjidhur. Shefi i “kokëkuqes” shpjegoi se nuk u mbështet në një grup rregullash formale, por në një diskutim të bazuar në logjikën e shëndoshë, me theksin te parimi se interesat e skuadrës jenë në plan të parë.
Vetë pilotët vunë në dukje se patën mundësinë të shprehnin këndvështrimet e tyre, duke gjetur përfundimisht një gjuhë të përbashkët, një marrëveshje që synon të parandalojë përsëritjen e situatave të ngjashme. Ai që foli për këtë takim ishte vetë Vasseur, që ishte i kënaqur.
“Sinqerisht, patëm një diskutim të mirë. E sqaruam situatën. Mendoj se ishte një rezultat pozitiv për sa i përket qasjes mendore. Ata u larguan nga zyra ime duke bërë shaka me njëri-tjetrin, gjë që është një shenjë e mirë. Shpresoj që të vazhdojë kështu. Gjithsesi, patëm një takim produktiv”, tha Vasseur.







