Zinedine Zidane është detyruar të ndryshojë planet për përfaqësuesen e Francës. Senny Nsona Mayulu, i cili fillimisht ishte grumbulluar me kombëtaren U-21, i është bashkuar ekipit të parë të “Gjelave”, për të plotësuar boshllëqet e krijuara nga dëmtimet e Aurélien Tchouaménit dhe Kylian Mbappé.
Sulmuesi i Real Madridit ka probleme fizike dhe, sipas raportimeve, pritet të mungojë në përballjen ndaj Italisë. Ndërkohë, pas dëmtimit të Tchouaménit, Zidane fillimisht kishte vendosur të mos thërriste një futbollist tjetër, duke konsideruar se në dispozicion kishte Eduardo Camavingën, Lucas Da Cunhën, Adrien Rabiot dhe Ëarren Zaïre-Emery.
Megjithatë, shqetësimi i Mbappé ka ndryshuar situatën dhe ka hapur rrugën për afrimin e Mayulu. Talenti i lindur në vitin 2006 spikat për polivalencën e tij, pasi mund të luajë si mesfushor ofensiv, por edhe në pozicione më të avancuara të sulmit.
Për futbollistin e Paris Saint-Germainit bëhet fjalë për ftesën e parë me kombëtaren A të Francës. Pavarësisht moshës së re, ai ka zhvilluar afro 100 ndeshje me klubin parizien, duke fituar dy trofe të Champions League dhe duke shënuar në finalen historike kundër Interit.
Në sezonin aktual, Mayulu ka regjistruar nëntë paraqitje, me tri gola dhe dy asistime, në rreth 350 minuta lojë. Një mundësi e rëndësishme për të treguar veten edhe në nivelin më të lartë të futbollit ndërkombëtar.
