Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është zhvilluar seanca e radhës ndaj Jovan Viqentijeviqit dhe Dragisha Viqentijeviqit, të dyshuar për sulmin ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”, i ndodhur në nëntor të vitit 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Pas ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, dy të akuzuarit janë pyetur lidhur me akuzat dhe kanë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë.
Të lidhura
None found
Dosja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës thotë se Jovan Viqentijeviq, në bashkëpunim me vëllain e tij, Dragisha Viqentijeviq, dyshohet se ka dëmtuar me dashje infrastrukturën e kanalit përmes përdorimit të eksplozivit, me synim kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Për të njëjtin rast akuzohet edhe Igor Dimoviq, i cili nuk ndodhet në paraburgim. Në ndërkohë, dy vëllezërit Viqentijeviq vazhdojnë të jenë në paraburgim.
Shpërthimi në kanalin e “Ibër-Lepencit” u regjistrua në nëntor të vitit 2024 dhe, sipas dyshimeve, në të u përdorën rreth 20 kilogramë eksplozivë. Incidenti shkaktoi dëmtime në infrastrukturën jetike të furnizimit me ujë dhe ngriti shqetësime për sigurinë e infrastrukturës kritike në Kosovë.






