Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi sot caktimin e 120 monitoruesve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 9 maj 2027.
Angazhimi i monitoruesve synon evidentimin dhe dokumentimin e veprimtarive të fushatës zgjedhore, me qëllim verifikimin e respektimit të detyrimeve ligjore nga subjektet zgjedhore dhe forcimin e transparencës në financimin e fushatave zgjedhore.
Ndërsa shpërndarja e monitoruesve do të realizohet në mënyrë të tillë që të sigurojë mbulim sa më efektiv të territorit dhe monitorim të veprimtarive zgjedhore në të gjitha bashkitë e vendit.
Po ashtu, KSHZ shqyrtoi kërkesën e grupit nismëtar për zhvillimin e referendumit vendor në Bashkinë Poliçan.
Pas verifikimeve të kryera nga administrata e KQZ-së, u konstatua se nënshkrimet mbështetëse të depozituara nga grupi nismëtar janë dorëzuar në përputhje me kërkesat e parashikuara nga ligji. Për rrjedhojë, Komisioneri vendosi pranimin e listës mbështetëse të nënshkrimeve për zhvillimin e referendumit vendor në Bashkinë Poliçan.
Gjatë seancës u shqyrtua edhe rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues, Arjel Rragami, kandidat për deputet i propozuar nga Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” në Qarkun Shkodër për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.
Komisioneri vendosi deklarimin e procedurës administrative të përfunduar dhe pa vendim përfundimtar, pasi vlerësoi se objekti dhe qëllimi i procedurës administrative kishin humbur përpara ditës së zgjedhjeve.
Në vijim, Komisioneri plotësoi dy vakanca të krijuara në këshillat bashkiakë. Mandati në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës iu dha kandidatit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Frano Ndoja, ndërsa mandati në Këshillin e Bashkisë Vlorë iu dha kandidates së Partisë Socialiste të Shqipërisë, Romina Lushaj.

