Policia e Shtetit ka arritur të zbulojë identitetin e vërtetë të një 44-vjeçari shqiptar të arrestuar në Greqi, i cili prej kohësh përdorte gjeneralitete të falsifikuara për t’iu shmangur identifikimit nga autoritetet.
Bëhet fjalë për Zef Preldakajn, i njohur edhe me emrin Fran Preldakaj, i cili në territorin grek prezantohej si Nikolin Pali, duke përdorur një tjetër datëlindje.
Identifikimi i tij është bërë i mundur falë analizimit të të dhënave biometrike nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Interpolit dhe autoritetet e Interpol Athinës.
Sipas Policisë së Shtetit, 44-vjeçari rezulton i dënuar nga drejtësia shqiptare me 22 vite burgim për përfshirjen në vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, ndërsa në Greqi është akuzuar edhe për një tjetër krim të rëndë, ku mbetën të vrarë dy persona.
Ngjarja për të cilën Preldakaj është dënuar në Shqipëri daton në vitin 2002 dhe ka ndodhur në fshatin Shtoj i Vjetër, në Shkodër.
Sipas dosjes hetimore, ai dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, të identifikuar me inicialet A. N. dhe B. D., kishin planifikuar grabitjen e xhiros ditore të një biznesi në pronësi të dy vëllezërve me inicialet S. V. dhe S. V.
Gjatë tentativës për grabitje, njëri prej vëllezërve kishte ndërhyrë për t’i marrë armën njërit prej autorëve. Në këto rrethana, shtetasi A. N. kishte hapur zjarr ndaj të dy vëllezërve, duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Hetimet e zhvilluara në atë kohë arritën në përfundimin se Zef Preldakaj kishte qëndruar pranë hyrjes së subjektit, me qëllim sigurimin e veprimeve të dy bashkëpunëtorëve të tij.
Pas vrasjes së dyfishtë, tre personat ishin larguar nga vendngjarja.
Në vitin 2008, Gjykata e Shkodrës e shpalli fajtor Preldakajn për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, duke e dënuar me 22 vite burg.
Por kjo nuk është e vetmja çështje e rëndë penale me të cilën lidhet emri i 44-vjeçarit.
Sipas autoriteteve shqiptare, Preldakaj është akuzuar nga drejtësia greke edhe për vrasjen e dy personave në vitin 2020, në Korinth.
Viktimat e asaj ngjarjeje ishin një shtetas grek dhe një shtetase ukrainase, trupat e të cilëve u zbuluan brenda një automjeti.
Përveç kësaj akuze, Policia e Shtetit bën të ditur se 44-vjeçari ka pasur edhe probleme të tjera me ligjin në Greqi.
Në vitin 2014, ai rezulton me precedentë për grabitje me armë dhe shkelje të legjislacionit për armët. Një vit më herët, në vitin 2013, ishte evidentuar për shkelje të ligjit që rregullon tregun e lojërave të fatit, ndërsa në vitin 2005 për posedim të lëndëve narkotike.
Përdorimi i identitetit të rremë kishte vështirësuar përcaktimin e gjeneraliteteve të tij të sakta. Megjithatë, krahasimi dhe ekspertimi i të dhënave biometrike kanë bërë të mundur që autoritetet të konfirmojnë se personi i arrestuar në Greqi është pikërisht Zef Preldakaj.
Pas identifikimit, strukturat e Interpol Tiranës kanë intensifikuar bashkëpunimin me homologët grekë për shkëmbimin e informacionit dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm ligjor.
Synimi i autoriteteve shqiptare është ekstradimi i 44-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku duhet të vuajë dënimin prej 22 vitesh burgim të dhënë nga Gjykata e Shkodrës.
Ndërkohë, bashkëpunimi mes institucioneve të dy vendeve vijon edhe për sqarimin e çështjeve penale që rëndojnë ndaj tij në Greqi, përfshirë akuzat për vrasjen e dyfishtë në Korinth, për të cilat nuk është bërë i ditur një vendim përfundimtar gjyqësor.
