Nga Boldnews.al
Ishin lëshuar masivisht gjoba në vlerën 50 mijë lekë, por në shumën 5 milionë u bë sefte, tre ditë më parë. E mori një 17-vjeçar jetim, me nënë e ndarë nga jeta vite më parë dhe me babanë e një vëlla të sëmurë të cilët trajtohen në kemp. Arsyeja sipas ca policëve gjobëshkrues ishte se ai mori pjesë në protestën kundër qeverisë i maskuar, madje kishin edhe një pamje që ai hodhi gurë në drejtim të shkallëve të kryeministrisë… Po, po, një gur drejt shkallëve ku kryeministri ynë i ngjit dhe i zbret kur shkon në zyrë.
Fatura e fryrë e rëndë dhe pa logjikjë të bën përshtypjen e menjëhershme, për të mos e kapërdirë që në fillim, por ajo që ndodhet përtej një fletushke me vlërë të lartë, mbetet thelbi i asaj që po ndodh. I mituri ka 14 vite që e “paguan faturën”. Vetëm tre vjeç qe kur Edi Rama mori pushtetin. Ai nuk ishte në gjendje që të kuptonte, por me siguri prindërit e tij po. Kryeministri premtonte punë, mirëqenie, rritje të pensioneve të pleqërisë, sociale dhe invaliditetit, arsim të mirë, rrugë e ujë…
Ajo që sot familjes së të miturit i ofrohet është pensioni 24 mijë lekë për dy invalidë. Një statistikë më shumë dhe një arsye më tepër që kryeministri Rama të bëjë propagandë e fushatë në ndonjë lëmoshë që ofron për këtë kategori të shoqërisë. “…Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka shumë vite. Me kemp kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë”, tha i mituri, ndërsa ishte sërish në protestë, edhe pasi policët e dënuan aq rëndë.
Ajo është gjoba jonë si shoqëri, e të gjithëve, përveç njërit, jo dorëlëshuesit, por urdhëruesit të saj. Këtë gjobë po e paguan edhe ai firmosësi polic, që vështirë të kuptohet sesi e mori guximin që të zhgaravisë atë copë letër, pa pyetur kujt po ia lëshonte dhe mbi të gjitha pëse po e lëshonte. Ai në të vërtetë firmosi paaftësinë ose militantizmin e thekur që në lëkurë ka unifoirmën e partisë dhe përmbi, që duket si mirazh, është ajo e Policisë së Shtetit.
Gjoba nuk ka për tu paguar kurrë, jo vetëm se nuk ka që ta paguajë, por mbi të gjitha nuk mund të likuidohet një fletushkë e paligjshme, qoftë kjo edhe me “akt normativ”. Nëse ajo gjobë do të paguhet atëherë e gjithë si shoqëri kemi humbur edhe të drejtën për të akuzuar, protestuar dhe revoltuar, duke pranuar me heshtjen tonë kalimin nga një regjim autoritar i theksuar në paradhomën e diktaturës.













