Një prind ka ngritur një shqetësim në redaksinë tonë lidhur me një kërkesë për mbledhjen e kontributeve financiare nga prindërit e nxënësve të shkollës “Bajram Curri”, në zonën e Plazhit në Durrës.
Sipas denoncueses, prej disa ditësh prindërve po u kërkohet të kontribuojnë me nga 1 mijë lekë të rinj për çdo fëmijë, me qëllim përshpejtimin e përfundimit të punimeve dhe hapjen e shkollës.
Në mesazhin e saj, nëna e një nxënëseje dhe në të njëjtën kohë kryetare e bordit të prindërve të klasës, tregon se gjatë një mbledhjeje me drejtoreshën e shkollës u është komunikuar se fondet e Bashkisë nuk mbulojnë të gjitha nevojat dhe se kanë mbetur ende punime për t'u përfunduar.
Sipas saj, kontributi i kërkuar është 10 mijë lekë të vjetra (1 mijë lekë të rinj) për çdo fëmijë. Madje, sipas udhëzimit të dhënë në mbledhje, mbledhja e parave do të bëhet nga vetë kryetarja e bordit të prindërve, ndërsa kontributet duhet të dorëzohen në një zarf të mbyllur, ku të shënohet emri dhe mbiemri i fëmijës.
Denoncuesja ngre pikëpyetje mbi faktin se përse barra financiare për përfundimin e punimeve po u kërkohet prindërve, ndërkohë që përgjegjësia për rikonstruksionin e shkollës i takon institucioneve përkatëse.
Prindërit kërkojnë transparencë mbi fondet e vëna në dispozicion për rikonstruksionin, punimet e mbetura dhe arsyen e kërkimit të këtyre kontributeve.
Redaksia mbetet e hapur për një reagim nga drejtoria e shkollës dhe Bashkia Durrës lidhur me këtë shqetësim.
