Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur për zgjedhjet vendore të 9 majit dhe mundësinë e daljes së opozitës me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Mediu deklaroi se opozita duhet të ndërtojë një front të unifikuar politik dhe qytetar, duke përcaktuar përmes një procesi objektiv emrin që do të përfaqësojë në garën për kryeqytetin.
Mediu shprehu mbështetje për Florian Binajn, i cili ka deklaruar se do të kandidojë, por theksoi se kandidatura përfundimtare duhet të zgjidhet përmes konsensusit, sondazheve ose primareve, në një proces ku të përfshihen të gjithë faktorët opozitarë dhe qytetarë.
Ai u shpreh se Binaj nuk duhet të ketë problem t’i nënshtrohet një sondazhi nëse në tryezën e opozitës propozohen edhe kandidatura të tjera. Në këtë kontekst, Mediu përmendi edhe emrin e Ilir Alimehmetit, dhe të mjekut Ermal Pashaj, duke i cilësuar si figura të respektuara dhe me një qasje të re politike.
“Unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë dhe dua të them fare qartë që, në qoftë se faktorë të tjerë politikë mendojnë se ka kandidatura të tjera, atëherë zoti Binaj nuk besoj se i shmanget faktit për të bërë një sondazh se kush është më i pranuar nga opinioni dhe nga shoqëria”, u shpreh Mediu.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm përzgjedhja e një emri, por duhet edhe institucionalizimi i marrëveshjes mes opozitës, me rregulla të qarta për mënyrën se si do të përcaktohet kandidati. Mediu paralajmëroi se përballë një pushteti që, sipas tij, ka para dhe lidhje kriminale, një kandidaturë e vetme pa mbështetjen e gjithë opozitës dhe shoqërisë nuk do të ishte e mjaftueshme.
“Është shumë e rëndësishme që ne të vendosim kriteret, është shumë e rëndësishme që ne të ulemi me njëri-tjetrin dhe të gjejmë rrugën për të përcaktuar jo në mënyrë subjektive, por objektive se kush është kandidati më i mirë”, theksoi kreu i PR.
Mediu kujtoi gjithashtu se një praktikë e tillë bashkëpunimi u ndoq edhe në rastin e kandidaturës së Florian Binajt, kur disa faktorë politikë u bashkuan në mbështetje të tij. Megjithatë, ai këmbënguli se këtë herë duhet një marrëveshje më e gjerë, ku të kenë mundësi të propozojnë kandidatë edhe faktorët e tjerë politikë dhe qytetarët.
Ai theksoi se pa një front të unifikuar opozitar, gara për Bashkinë e Tiranës do të jetë e vështirë, duke ngritur shqetësimin për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve. Sipas Mediut, bashkimi duhet të jetë politik dhe qytetar, në mënyrë që kandidati i përbashkët të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme.
