Erjon Vishkulli i nënshtrohet operacionit vendimtar në Romë
28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestave në Tiranë, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale në spitalin universitar “Gemelli” në Romë. Operacioni i zhvilluar këtë të mërkurë konsiderohet një moment përcaktues për mundësinë e rikuperimit të shikimit nga i riu.
Ndërhyrja po realizohet nga ekipi mjekësor nën drejtimin e profesorit italian Stanislao Rizzo, i cili ishte gjithashtu përgjegjës për operacionin e parë, të kryer më 28 tetor.
Gjatë ndërhyrjes së parë, mjekët arritën të shpëtonin syrin e 28-vjeçarit, por situata mbeti delikate dhe prognoza për rikthimin e shikimit nuk ishte e qartë. Për këtë arsye, operacioni i dytë shihet si një hap i rëndësishëm për të vlerësuar dhe përmirësuar mundësitë e rikuperimit.
Një detaj me rëndësi për hetimin e ngjarjes lidhet edhe me një trup të huaj që mjekët nxorën nga syri i Vishkullit gjatë ndërhyrjes së parë. Objekti dyshohet të jetë një plumb gome, i cili është marrë në administrim nga organet hetimore.
Materiali pritet t’i nënshtrohet ekspertimit nga Prokuroria e Tiranës, me qëllim përcaktimin e natyrës së tij dhe sqarimin e rrethanave në të cilat 28-vjeçari pësoi dëmtimin e rëndë gjatë protestës.
Ndërsa në Romë vijon beteja mjekësore për të shpëtuar shikimin e tij, rezultatet e ekspertimit pritet të kenë rëndësi edhe për zbardhjen e përgjegjësive lidhur me plagosjen e Erjon Vishkullit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



