Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti i 2027-ës për Grardën e Republikës, opozita ngre shqetësimin për pagat


Garda e Republikës do të ketë një buxhet prej 2.84 miliardë lekësh për vitin 2027, me një rritje prej 2.6% krahasuar me një vit më parë.

Shifrat u prezantuan nga drejtori i institucionit, Simon Zereci, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku opozita ngriti shqetësimin për pagat dhe kushtet financiare të efektivëve.

Nga fondi i përgjithshëm, 2.73 miliardë lekë janë parashikuar për shpenzime korrente, ndërsa 110 milionë lekë për investime.

Konkretisht, 55.5 milionë lekë do të përdoren për rinovimin e mjeteve të transportit, 18.06 milionë lekë për sistemet e sigurisë dhe kamerat e vëzhgimit, ndërsa 32 milionë lekë për rikonstruksionin e objektit të Sektorit të Ruajtjes së Rezidencave në Vlorë.

Gjatë raportimit, Zereci theksoi se përmbushja e misionit të Gardës kërkon mbështetje të vazhdueshme në burime njerëzore, logjistikë dhe teknologji, duke i cilësuar këto si kushte të rëndësishme për garantimin e sigurisë dhe rritjen e efektivitetit të institucionit.

Deputeti i opozitës, Erald Kapri, ngriti shqetësimin për trajtimin financiar të gardistëve, duke kërkuar paga më dinjitoze. Sipas tij, efektivët po detyrohen të largohen nga puna, pasi të ardhurat e tyre nuk u garantojnë kushtet minimale të jetesës.

Largimet u konfirmuan edhe nga drejtori i Gardës, Simon Zereci, i cili bëri të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 28 dorëheqje nga radhët e efektivëve.

Ndërkohë, në strukturën e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Burgjeve, e cila aktualisht ka 70 punonjës, parashikohet të shtohen edhe 61 pozicione të tjera në organikë.