Reperi me famë botërore, Drake, ka tërhequr sërish vëmendjen e shqiptarëve, këtë herë me një zinxhir gjigant ku spikat shqiponja dykrenare, e zbukuruar me diamante. Bizhuteria luksoze, të cilën artisti e ka ekspozuar në një story në Instagram, ka tërhequr vëmendje.
Zinxhiri është shfaqur në projektin muzikor “Ya Hit”, në bashkëpunim me Future, Travis Scott dhe Loe Shimmy. Shqiptarët kanë një arsye më shumë për t’i kushtuar vëmendje reperit, pasi simboli i flamurit kuqezi është kthyer në një element të përsëritur në paraqitjet e tij publike.
Kjo nuk është hera e parë që Drake shfaqet me shqiponjën dykrenare. Në vitin 2023, reperi u shfaq në videoklipin “Polar Opposites” me një xhaketë të kuqe, në pjesën e pasme të së cilës ishte vendosur shqiponja e zezë.
Megjithëse artisti nuk ka sqaruar publikisht arsyen e zgjedhjes së këtij simboli, një gjë është e sigurt: shqiponja dykrenare po merr sërish vëmendje në skenën ndërkombëtare të muzikës botërore.