Dhoma e Përfaqësuesve votoi për t’i kaluar në Komisionin e Drejtësisë tetë akuzat ndaj sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Rezoluta u miratua me 211 vota pro dhe 204 kundër, duke e lënë pezull për momentin procesin e shkarkimit. Thomas Massie, autori i nismës, ishte i vetmi republikan që u rreshtua me demokratët.
Hegseth akuzohet se ka shkelur Kushtetutën duke nisur luftën kundër Iranit pa miratimin e Kongresit. Në listën e pretendimeve përfshihen edhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, veprimet ushtarake në Jemen, kapja e Nicolás Maduros në Venezuelë dhe presioni i ushtruar ndaj senatorit demokrat Mark Kelly.
Të lidhura
None found
Presidenti Donald Trump reagoi në rrjetin e tij Truth Social, ku e paraqiti dështimin e nismës si një fitore të rëndësishme. “Përpjekja e demokratëve për të shkarkuar Pete Hegseth dështoi në mënyrë të turpshme. Një patriot i madh amerikan u shpall i pafajshëm”, shkroi ai, duke lavdëruar gjithashtu operacionet ushtarake në Iran dhe Venezuelë.
Sekretari i Mbrojtjes i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur farsë politike. Ai mbrojti ligjshmërinë e operacioneve ushtarake dhe deklaroi se Trump ka vepruar për të garantuar sigurinë e amerikanëve. Megjithatë, çështja mund të rihapet në janar, pasi demokratët pritet të marrin drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve pas fitores në zgjedhjet e mesmandatit.
Humbja në zgjedhje ka sjellë gjithashtu ndryshime në udhëheqjen republikane. Jim Jordan është zgjedhur për të drejtuar pakicën e ardhshme republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, në vend të Mike Johnson, ndërsa John Thune është rizgjedhur në krye të republikanëve në Senat.







