Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për atë që ai i cilëson si ndërhyrje dhe kërcënime nga Kryeministri Edi Rama, përmes Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Në një deklaratë publike, Veliaj pretendon se transferimi i tij nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga mandati i kryetarit të bashkisë.
“Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit”, deklaron Veliaj.
Ai shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të përballet me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqesë provat që pretendon se disponon.
Veliaj kërkon gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, thuhet në deklaratë.
Kryebashkiaku sqaron se kërkesën ia ka drejtuar shumicës parlamentare socialiste, duke argumentuar se kontrolli parlamentar mbi qeverinë nuk duhet të kushtëzohet nga përkatësia politike e personave që duhet të japin llogari.
Veliaj bën të ditur se ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ai thotë se ka kërkuar gjithashtu ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
“Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, përfundon deklaratën Erion Veliaj, e publikuar më 11 nëntor 2026.
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë
11 nëntor 2026