Në një deklaratë në rrjete sociale, kryeatri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialite, Taulant Balla, që të iniciojë ngritjen e një Komisioni Hetimor për kërcënimet që ai pretendon se ka marrë nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Veliaj kërkon që të hetohet nëse transferimi i tij nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar atë për të pranuar se është i përfshirë në protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe për të dhënë dorëheqjen si kryebashkiak i Tiranës.
Të lidhura
None found
“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë”, shkruan Veliaj.
Ai shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim, të përballet me ministrin Gogu dhe të paraqesë provat që disponon. Veliaj kërkon gjithashtu që kryeministri t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, shton ai.
Kreu i Bashkisë së Tiranës bën me dije se ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si dhe trupin diplomatik në Shqipëri.
DEKLARATA:
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë
11 nëntor 2026








