Mes morisë së institucioneve që janë të pakënaqur me buxhetin e rezervuar nga qeveria për vitin 2027, është dhe Kuvendi i Republikës.
Në projekt buxhetin e dorëzuar nga qeveria parashikohet afro 1.96 miliardë lekë buxhet për Kuvendin, ndërkohë që sipas llogarive të bëra nga vetë legjislativi, i duhen edhe rreth 461 milionë lekë shtesë.
Për çfarë do përdoren këto para?
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, argumenton se për shpenzimet operative, administrata evidenton një mungesë prej rreth 207 milionë lekësh, ndërsa për pagat dhe sigurimet shoqërore kërkon afro 89 milionë lekë shtesë. Nevojat për investime kapitale janë gjithashtu të konsiderueshme, pasi projekt buxheti ka marrë në konsideratë vetëm një pjesë të projekteve të paraqitura nga Kuvendi.
Fondet do të përdoren sipas arsyetimit për ndryshimin e strukturës organizative të institucionit duke shtuar 10 pozicione pune që e çojnë numrin e përgjithshëm të punonjësve në 499.
Tetë pozicione të reja parashikohen për këshilltarë parlamentarë në komisionet e përhershme, ndërsa dy të tjerat për shërbimet mbështetëse. Kërkesa argumentohet me rritjen e numrit të komisioneve parlamentare dhe ngarkesën e tyre në shqyrtimin e projektligjeve dhe akteve të tjera.
Ndryshimi kryesor strukturor lidhet me riorganizimin e Shërbimit të Monitorimit Institucional, i cili është pjesë e Shërbimit të Përgjithshëm Legjislativ dhe Monitorimit Institucional. Administrata e Kuvendit argumenton se shtrirja e gjerë e funksioneve të këtij shërbimi dhe rëndësia e kontrollit parlamentar mbi institucionet kërkojnë një organizim më të specializuar.
Në strukturën e re, monitorimi institucional parashikohet të ndahet në katër njësi: Monitorimi i Drejtësisë, Monitorimi i Institucioneve të Pavarura, Monitorimi i Ekzekutivit dhe Agjencive Ekzekutive, si dhe Njësia e Nismave dhe Peticioneve.
Paralelisht me zgjerimin e kapaciteteve profesionale, Kuvendi kërkon fonde shtesë për angazhimin e ekspertëve të jashtëm në komisionet parlamentare. Sipas relacionit, fondet e parashikuara për vitin 2027 janë të pamjaftueshme, duke përsëritur problematikën e hasur edhe gjatë vitit 2026, kur institucioni iu drejtua disa herë Ministrisë së Financave për financim shtesë.
Një prej kërkesave konkrete është ajo e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, që ka kërkuar 25 milionë lekë për angazhimin e 26 ekspertëve. Kjo shumë nuk përfshin nevojat e komisioneve të tjera parlamentare që mund të ngrihen gjatë vitit.
Përveç ekspertizës, administrata kërkon më shumë fonde për dietat e deputetëve, aktivitetet e komisioneve, çështjet europiane dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë ndërkombëtare. Në programin administrativ, mungesat lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e godinave, sigurimin e ambienteve, përfshirë Qendrën e re të Vizitorëve, si dhe shpenzimet e transportit.
Një pjesë e rëndësishme e kërkesave shtesë lidhet me investimet teknologjike, që konsistojnë në blerje të licencave të Microsoft 365 E5, mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe integrimin e inteligjencës artificiale në sistemin e gjurmimit legjislativ, digjitalizimin e arkivës institucionale etj. Konkretisht, 8 milionë lekë parashikohen të përdoren për integrimin e Inteligjencës artificiale në sistemi ne gjurmimit legjislative, e nga ana tjetër, 500.000 lekë për të blerë libra për deputetët në fushën e së drejtës dhe të politikave të BE.
Ambicia për të ngritur një ‘Media Hub’ po ashtu është pjesë e kërkesës për buxhet pasi ka kaluar fazën e projektimit, për të cilin kërkohet 40.7 milionë lekë për ta vënë në funksion. /Reporter.al/










