Kombëtarja luan të enjten në orën 20:45 përballjen e rëndësishme kundër Finlandës në Air Albania, që është ndeshja e parafundit në grupin e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë synojnë vendin e parë në grup, që e mbajnë aktualisht me 9 pikë, ndërsa pas tyre janë Bjellorusia dhe Finlanda me 7 pikë.

Të besuarit e Maran pas duelit me Finlandën, 3 ditë më pas, luajnë ndeshjen e fundit në transfertë kundër Bjellorusisë, për të përcaktuar përfundimisht fatin në grup. Për duelin e së enjtes, trajneri Maran por edhe Ardian Ismajli, folën në konferencë për shtyp.

Futbollisti i Kombëtares Ardian Ismajli

“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë se e kemio detyrim për vendin e parë. Megjithatë duhet ta dëshmojmë në fushë. Në ndeshjen e parë po të heqësh kartonin e kuq kemi bërë ndeshjen më të mirë të viteve të fundit.”

Ndryshimi nga Sylvinho. Loja e re që kërkon Maran, a rrezikohet në prapavijë?

“Mbrojtja më e mirë është sulmi. Sylvinho ka luajtur një futboll shumë mbrojtës, shumë statik. Ai futboll nuk ekziston. Tani është futbolli i Maran, duke bërë presion shumë, se e detyron kundërshtarin të bëjë gabime. Trajneri i ka parë cilësitë tona dhe ka vendosur të luajë në këtë mënyrë.”

Trajneri i Kombëtares Rolando Maran

Trajneri i Finalndës është shprehur në konferencë se ka ardhur në Shqipëri për vendin e parë dhe 3 pikët?

“Në fakt duhet të jemi të bindur në atë që mund të bëjmë ne. Çdo trajner do të thotë të njëjtën gjë për skuadrën e tij. Jam I bindur nga puna që kemi bërë dhe këtë duhet ta transmetojmë në fushë. Fakti që stadiumi do të jetë plot është një stimul për ne.”

Gjimshiti tha pas San marinos që të gjithë po kërkonin lavdinë personale, keni punuar me kombëtaren në këtë aspekt?

“Kjo është diçka që ne e kemi kuptuar që pas ndeshjes me San Marinon. Mesazhin e ka marrë edhe skuadra. Pas golit me San Marinon u përmirësuam dhe mund të kishim shënuar më herët dhe më shumë. Megjithatë tani skuadra e ndjen përgjegjësinë.”

Finlanda do ketë inciniativën në ‘Air Albania’ apo do ta kërkojmë ne golin që në minutat e para?

“Ne do të futemi në fushë për të shënuar, duke krijuar sa më shumë raste që të gjejmë rrugën e rrjetës. Dhe duhet ta bëjmë këtë pa pësuar gol. San Marino na ka vënë pak në pikëytje modelin tonë të lojës në ndeshjen e fundit, por e rëndësishme është se skuadra është koshiente për atë që duhet të bëjmë dhe duhet ta tregojmë nesër.”