Ardian Ismajli ka folur në prag të ndeshjes me Finlandën, e vlefshme për raundin e pestë të Ligës së Kombeve, duke komentuar objektivat e Shqipërisë, paraqitjen në përballjen e parë me finlandezët dhe ndryshimet në filozofinë e lojës pas ardhjes së trajnerit Rolando Maran.
Mbrojtësi kuqezi u shpreh se skuadra është përgatitur shumë mirë dhe se objektivi është përfundimi në vendin e parë. Sipas tij, Shqipëria ka cilësi më të mëdha se kundërshtarët e grupit, por këtë duhet ta vërtetojë në fushën e lojës.
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë e ndeshjes. E kemi detyrim vendin e parë. Jemi ekip më cilësor se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë. Gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë ta mbyllim ashtu siç kemi filluar”, deklaroi Ismajli.
Duke u kthyer te ndeshja e parë ndaj Finlandës, ai theksoi se Shqipëria kishte zhvilluar një nga paraqitjet më të mira të viteve të fundit, por kartoni i kuq dhe episodet e veçanta ndryshuan rrjedhën e takimit.
“Besoj se, nëse heqim kartonin e kuq, kemi bërë ndoshta ndeshjen më të mirë në vitet e fundit. Episodet bëjnë të vetën dhe pas atij momenti ndeshja mori një tjetër rrjedhë. Edhe me një lojtar më pak patëm dy raste për ta mbyllur takimin. Nuk patëm fat, sepse zhvilluam një paraqitje shumë të mirë”, u shpreh mbrojtësi.
Ismajli paralajmëroi gjithashtu se skuadra duhet të tregojë më shumë kujdes në goditjet standarde, pasi në përballjen e parë pësoi dy gola nga situata të tilla.
“Duhet të jemi më të kujdesshëm, duke ditur se ai mesfushor-sulmues ka goditje shumë të mira. Duhet të shmangim faullet pranë zonës, megjithëse ndonjëherë situatat e lojës të detyrojnë të ndërhysh”, tha ai.
Mbrojtësi foli edhe për mbështetjen e tifozëve shqiptarë, duke theksuar se atmosfera në “Air Albania” është një avantazh i rëndësishëm për Kombëtaren.
“Nuk besoj se lojtarët kanë panik apo stres kur luajnë përpara tifozëve tanë. Ata janë lojtari ynë i 12-të. Jam shumë i sigurt se sa herë luajmë në shtëpi kemi paraqitje shumë të mira. Tifozët na shtyjnë përpara dhe kanë qenë gjithmonë pozitivë. Edhe kur ishim në barazim 1-1 me San Marinon, na mbështetën shumë dhe në fund fituam”, theksoi Ismajli.
Ai shtoi se në futbollin e sotëm nuk ka më kundërshtarë të lehtë dhe se skuadra duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje.
“Futboll pa gabime nuk ka. Shpresoj t'i shmangim gabimet e vogla që ndonjëherë na kushtojnë. Duhet të jemi më të qartë në idetë tona. Trajneri dhe stafi i tij kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë. Kanë analizuar ndeshjet, na kanë treguar përmes videove dhe stërvitjeve se çfarë duhet të përmirësojmë. Shpresojmë të zbatojmë atë që kërkon trajneri dhe që na ndihmon të marrim rezultate”, u shpreh ai.
Deklarata më e fortë e Ismajlit ishte ajo për ndryshimin e filozofisë taktike, ku mbrojtësi krahasoi mënyrën e lojës së Shqipërisë nën drejtimin e Silvinjos me idetë e trajnerit aktual, Rolando Maran.
“Silvinjo ka luajtur një futboll shumë difensiv, shumë statik. Ka dashur që çdo lojtar të mbajë pozicionin e tij. Ai futboll nuk ekziston. Futboll modern quhet të luash si trajneri që kemi tani, Maran”, deklaroi Ismajli.
Më tej, ai shpjegoi se skema e re i jep Shqipërisë mundësi të ushtrojë presion më të lartë ndaj kundërshtarit dhe të shfrytëzojë cilësitë individuale të futbollistëve.
“Na ndihmon më shumë nëse dalim në presing lart. Mund ta kapim kundërshtarin në gabime. Jemi lojtarë që mund të luajmë një kundër një gjatë gjithë kohës dhe nuk e kemi problem. Trajneri ka vendosur të luajë kështu. Nëse qëndron shumë prapa, pëson krosime dhe topa pas shpine, gjë që e bën shumë të vështirë lojën”, argumentoi mbrojtësi.
Në fund, Ismajli theksoi përgjegjësinë që ka çdo futbollist kur vesh fanellën kuqezi dhe u bëri thirrje shokëve të skuadrës të japin gjithçka në fushë.
“Secili prej nesh ka përgjegjësinë e vet. Të veshësh këtë fanellë është një përgjegjësi shumë e madhe. Asnjëherë nuk kemi hezituar të bëjmë punën siç duhet për kombin. Të bëjmë tifozët krenarë, të japim shpirtin në fushë, sepse në fund e rëndësishme është rezultati”, përfundoi Ardian Ismajli.
© SYRI.net
Maran zbulon çfarë ndryshoi pas ndeshjes me San Marinon: Finlandën e pret një Shqipëri me objektiva të qartë
Plas me Jasir Asanin në Iran, gjyqtari anësor e pëson keq pas ofendimeve me familje
Krizë e thellë te Mançester Junajtid, rekordet negative shtohen dhe tifozët humbasin duriminBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: