Grupi industrial portugez Vangest ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë suedeze Saab për prodhimin e tetë komponentëve të avancuar për avionët luftarakë Gripen E/F.
Mediat e huaja shkruajnë se sipas marrëveshjes, prodhimi do të zhvillohet në fabrikat e Vangest në Marinha Grande, në veri të Lisbonës. Ky bashkëpunim synon të rrisë kapacitetet prodhuese të Saab dhe të krijojë vende të reja pune për punonjës të kualifikuar në rajon.
Saab bën të ditur se partneriteti është pjesë e strategjisë së saj për zgjerimin e rrjetit ndërkombëtar të prodhimit dhe rritjen e kapaciteteve për ndërtimin e avionëve Gripen E/F.
“Me Vangest po zgjerojmë rrjetin tonë të prodhimit dhe po forcojmë kapacitetet prodhuese, duke i dhënë njëkohësisht industrisë portugeze një rol konkret në programin Gripen”, deklaroi Johan Segertoft, drejtues i njësisë së biznesit Gripen në kompaninë Saab.
Detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike. Kompanitë nuk kanë specifikuar vlerën e investimit, afatin e nisjes së prodhimit apo numrin e saktë të vendeve të reja të punës që pritet të krijohen.
Marrëveshja merr rëndësi të veçantë edhe në kuadër të planeve të Portugalisë për rinovimin e flotës së avionëve luftarakë F-16 të Forcave Ajrore. Gripen E/F i kompanisë suedeze Saab është ndër modelet që po shqyrtohen si alternativë e mundshme për zëvendësimin e tyre.
Saab vlerëson se në rast se Portugalia do të përzgjedhë avionët Gripen, bashkëpunimi industrial mund të zgjerohet më tej, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e industrisë portugeze të aviacionit dhe mbrojtjes, si dhe për forcimin e rolit të saj në industrinë evropiane të mbrojtjes.










Komente
Komento