Një lajm tragjik ka tronditur futbollin francez. Wanis Honsor, vetëm 22 vjeç, ka ndërruar jetë pasi pësoi një arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me skuadrën e tij, Saint-Denis.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fushën e stërvitjes, ku mbrojtësi u rrëzua papritur. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të personelit mjekësor dhe përpjekjeve për ringjallje, jeta e futbollistit nuk mundi të shpëtohej.
Lajmi ka shkaktuar trishtim të madh edhe te FC Rouen, klubi ku Honsor ishte formuar si futbollist dhe ku kishte nisur rrugëtimin e tij drejt ekipit të parë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rouen konfirmoi lajmin e hidhur dhe i kushtoi një homazh ish-lojtarit të tij.
“FC Rouen 1899 mësoi këtë mëngjes me trishtim të madh për ndarjen e parakohshme nga jeta të Wanis Honsor, i cili pësoi një arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me klubin e tij Saint-Denis FC”, thuhej në reagimin e klubit.
Honsor kishte veshur edhe fanellën e ekipit të parë të Rouenit gjatë sezonit 2023-2024, duke regjistruar tri paraqitje dhe një gol.
Një karrierë që sapo kishte nisur dhe një jetë e ndërprerë në mënyrë tragjike, duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë, shokët e skuadrës dhe të gjithë ata që e njohën.
