Robert Sanchez humb kontrollin e makinës luksoze në Nürburgring dhe përplaset me barrierat. Ferrari pëson dëmtime të rënda, ndërsa portieri spanjoll del i padëmtuar nga aksidenti.

Një ditë relaksi është kthyer në një moment frike për Robert Sanchez. Portieri 28-vjeçar spanjoll është përfshirë në një aksident me një Ferrari me vlerë rreth 360 mijë euro, gjatë një aktiviteti në pistën e famshme Nürburgring, në Gjermani. Gardiani humbi kontrollin e makinës luksoze, e cila përfundoi duke u përplasur me barrierat mbrojtëse. Pjesa e përparme e Ferrarit pësoi dëmtime të konsiderueshme, ndërsa pamjet e aksidentit tregojnë forcën e përplasjes.

Fatmirësisht, Sanchez arriti të dilte vetë nga automjeti dhe nuk pësoi asnjë dëmtim fizik. Portieri, i cili është i huazuar nga Chelsea te Como, kishte shfrytëzuar ditën e pushimit gjatë ndërprerjes së kampionateve për të udhëtuar drejt Gjermanisë dhe për të marrë pjesë në këtë aktivitet automobilistik.

Sanchez është i njohur edhe për pasionin ndaj makinave luksoze. Në koleksionin e tij përfshihen një Lamborghini me vlerë rreth 500 mijë paund, një Nissan prej 100 mijë paundësh dhe një BMW që kushton afërsisht 80 mijë paund. Kështu, Ferrari i dëmtuar në Nürburgring i shtohet listës së makinave të shtrenjta të portierit spanjoll, por këtë herë jo në mënyrën që ai do të kishte dëshiruar.

Top Channel