Pamje shqetësuese nga një stërvitje e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Babaj të Bokës tregojnë momentin kur një municion shpërthen brenda granatahedhësit automatik amerikan MK-19, duke krijuar një situatë tejet të rrezikshme për ushtarin që po e përdorte armën.
Incidenti ka ndodhur gjatë muajit shtator, në kuadër të ushtrimeve ushtarake dhe qitjeve me këtë sistem armatimi. Sipas informacionit të publikuar, municioni 40-milimetërsh, i prodhimit turk, ka shpërthyer brenda granatahedhësit.
Pamjet, të publikuara së fundmi në rrjetet sociale, tregojnë pjesëtarët e FSK-së gjatë ushtrimit të qitjes. Në një moment dëgjohet shpërthimi, i shoqëruar nga një sasi e madhe tymi. Personi që po filmon reagon menjëherë, ndërsa kamera lëviz vrullshëm pas incidentit.
Shpërthimi brenda armës e ka vendosur në rrezik serioz pjesëtarin që po kryente qitjen. Megjithatë, deri tani nuk ka një informacion zyrtar që të konfirmojë nëse ushtari ka mbetur i plagosur apo për shkallën e dëmtimeve të mundshme.
Po ashtu, nuk janë bërë publike rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkaku teknik i shpërthimit. Mbetet e paqartë nëse problemi ka ardhur nga municioni apo nga pajtueshmëria e tij me granatahedhësin amerikan MK-19, si dhe nëse është hapur një hetim për incidentin.

