Skema e ndihmës ekonomike në Elbasan dyshohet se u përdor për blerje votash në zgjedhjet e 11 majit 2025. Nga 60 familje të verifikuara, 55 u përjashtuan nga përfitimi pas zgjedhjeve.
Një dosje hetimore e Prokurorisë së Elbasanit ngre dyshime se skema e ndihmës ekonomike është shfrytëzuar për të siguruar mbështetje elektorale për kandidaten e atëhershme, Sara Mila, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas hetimeve, dhjetëra familje dyshohet se janë përfshirë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike në kuadër të një mekanizmi të mundshëm për sigurimin e votave. Në këtë proces dyshohet se kanë pasur rol edhe punonjës të Shërbimit Social në Elbasan, të cilët mund të kenë shtuar në mënyrë fiktive numrin e familjeve përfituese gjatë fushatës zgjedhore.
Materialet hetimore tregojnë se disa aplikime për ndihmë ekonomike janë plotësuar nga vetë punonjësit e institucionit, ndërsa në listat e përfituesve figuronin edhe persona që dyshohet se jetonin jashtë Shqipërisë.
Gjatë dëshmive para prokurorëve, punonjës të Shërbimit Social kanë deklaruar se në mars të vitit 2025, pas nisjes së fushatës, drejtuesja e institucionit u kishte kërkuar të rrisnin numrin e familjeve që përfitonin nga skema.
Në dosjen hetimore përmenden gjithashtu komunikime mes punonjësve dhe drejtuesve të institucionit, ku sipas prokurorisë shfaqet edhe emri i deputetes Sara Mila.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është situata e familjeve pas zgjedhjeve. Nga 60 familje të marra në verifikim, 55 prej tyre rezultojnë të jenë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike gjatë muajve maj-qershor 2026.
Sipas dosjes, këto largime nga skema kanë ndodhur në një periudhë kur hetimet kishin nisur dhe prokuroria po merrte në pyetje persona me funksione shtetërore.
Prokuroria e Elbasanit, pas hetimit të dyshimeve për përdorimin e ndihmës ekonomike në funksion të fushatës elektorale, ia ka referuar materialet SPAK-ut, me qëllim verifikimin e rolit të mundshëm të deputetes.
Sara Mila u paraqit këtë të mërkurë në ambientet e SPAK-ut, ku dha shpjegime për çështjen. Pas daljes, ajo u shpreh se po zhvillon një betejë për dinjitetin e saj dhe kundër asaj që i cilësoi si sulme politike.
E pyetur për dyshimet se ndihma ekonomike mund të jetë përdorur për sigurimin e votave në favor të saj, deputetja nuk dha një përgjigje konkrete, duke iu referuar sekretit hetimor.
Hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën se si janë përfshirë familjet në skemë, përgjegjësinë e punonjësve të administratës dhe nëse ka pasur ndërhyrje politike në procesin e përfitimit të ndihmës ekonomike. Sara Mila vijon të mbajë mandatin e deputetes.
