Deputeti i Partisë Socialiste, Skënder Pashaj, është shprehur se kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, duhet të shqyrtohet nga një Komision i Posaçëm në Kuvend.

Komentet Pashaj i bëri në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku komentoi kërkesën e Veliajt për ngritjen e Komisionit Hetimor, lidhur me pretendimet e kryebashkiakut për kërcënime nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut.

“Unë do jem pak sipas ish-profesionit tim, ish-sipërmarrës, do të jem i drejtpërdrejtë. Do mundohem të jem sa më i qartë dhe më i përafërt me atë që po them, sepse nuk e kam unë pronësinë e vërtetësisë në këtë rast. Përsa i përket kërkesës që ka bërë Veliaj, më duket diçka që një qytetar mund të kërkojë çdo gjë, por në këto raste ka disa komisione, instanca... Është komisioni i kryetarëve që merret me këtë gjë. Mendoj që duhet parë se kush janë pretendimet që ka zoti Veliaj, mbi çfarë gjërash i pretendon këto. Komisioni i Kryetarëve është në gjendje që ta verifikojë ose ta vlerësojë nëse është e drejtë që të krijohet ky komision, apo nuk është e drejtë që të krijohet ky komision, sipas zotit Veliaj”, tha mes të tjerash Pashaj.

Pashaj theksoi më tej se deri në këto momente nuk kishte pasur ndonjë komunikim brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste për këtë çështje.

Ai ritheksoi më tej se kërkesa e Veliajt për ngritjen e Komisionit Hetimor, nuk është çështje partie, por një çështje që duhet të shqyrtohet nga një komision i posaçëm.

“Deri në këto momente nuk kemi pasur një komunikim në PS për këtë çështje, sepse është e orëve të fundit. Sot kam pasur komisionet e mia dhe kam mbaruar vonë edhe me komisionet. Them sërish që nuk është çështje partie, por është çështje e komisionit të kryetarëve të Komisioneve. Është një Komision i Posaçëm që merret me këto ankesa”, shtoi Pashaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:21
Protestat/ Deputeti Pashaj për Report TV: Dënoj dhunën, protestuesit të ulen në tryezë me Ramën! Ne si ish-studentë të 90-ës dialoguam me diktatorin Ramiz Alia

1794418419_skenderpashajermalqori.jpg

Deputeti i Partisë Socialiste, Skënder Pashaj, ka dënuar dhunën gjatë protestave të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë, duke e cilësuar atë si të papranueshme për një vend demokratik.

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Pashaj tha se protestuesit nuk kanë një ideologji, një filozofi, apo një mjet për të kërkuar atë që ata duan në mënyrë demokratike.

Lidhur me refuzimin e dialogut me kryeministrin Edi Rama nga ana e protestuesve, Pashaj tha se ai është shefi i Qeverisë dhe është domosdoshmëri ulja më tryezë më të.

Pashaj mori si shembull vitet 1990, kohë gjatë të cilës tha se ishte student protestues, dhe rikujtoi se asokohe një përfaqësi e studentëve u takuan me diktatorin Ramiz Alia.

“Jam kundër çdo lloj dhune. Jam kundër dhunës së demonstruesve, por edhe kundrejt dhunës së kaluar në proporcion jo të drejtë edhe të efektivëve të Policisë. Mund të justifikohen nga ana psikologjike, janë njerëz që kanë ndenjtur aty me orë të tëra. Shpesh herë, ana e Policisë, edhe ai i shkreti njeri është, por jam kundra. Dhuna prodhon dhunë. S’jam kundër protestave. Por me rëndësi që protestat të jenë paqësore. Unë jam një ish-student dhe them që edhe ne bëmë protestat tona.

Por ajo që mund të them është se ajo që shoh në këto protesta është se nuk ka një ideologji, një filozofi dhe një mjet për të kërkuar atë që kërkohet. Është e rëndësishme që gjithçka të kërkohet në mënyrë demokratike. Protestuesit thonë ne refuzojmë dialogun. Tani duam, apo nuk duam, Rama është aktor, njeri që është votuar. Nuk do të ulesh direkt ne tavolinë me atë, por unë marr eksperiencën time që ne u ulëm me diktatorin Ramiz Alia dhe diskutuam”, tha mes të tjerash Pashaj.