Partia Socialiste i mbylli derën kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Socialiste, që do të zhvillohet të shtunën e 14 nëntorit. Kreu i Grupit Socialist, Taulant Balla, deklaroi se Erion Veliaj duhet të përballet vetë me drejtësinë, pa përfshirë simbolet apo strukturat e Partisë Socialiste, pas kërkesës që kryebashkiaku i bëri SPAK-ut, për të marrë leje që të jetë pjesë e Asamblesë së PS-së. Pak orë pas kësaj deklarate, reagoi nga qelia e Burgut të Fierit, kryebashkiaku Erion Veliaj. Përmes një letre zyrtare drejtuar Taulant Ballës, kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe ambasadorëve të huaj në Tiranë, Veliaj kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për transferimin e tij nga Burgu i Durrësit drejt Fierit, që kryebashkiaku e cilëson të paligjshëm. Kryebashkiaku Veliaj kërkon që ky komision të hetojë kërcënimet, që vetë ai pretendon se i janë bërë nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.