Volodymyr Zelensky ka marrë raportin e ekipit të tij lidhur me bisedimet trepalëshe në Abu Dabi.

Udhëheqësi ukrainas, ndër të tjera, bëri të ditur se po bëhen përgatitje për një tjetër shkëmbim të të burgosurve dhe theksoi dy çështje të tjera që u diskutuan dje dhe sot:


Garancitë e sigurisë: Zelensky u shpreh se ky është hapi i parë "i domosdoshëm" për t'i dhënë fund luftës dhe për të garantuar sigurinë e vendit të tij.

Roli i Evropës: Udhëheqësi ukrainas theksoi se u diskutuan gjithashtu "formatet më të gjera" për rolin e Evropës dhe të aleatëve kryesorë të Kievit.

Zelensky dha gjithashtu disa detaje rreth afateve kohore për këtë javë.

Të dërguarit e Donald Trumpit do të shkojnë sërish në Rusi, përpara se të enjten të takohen sërish me ekipet ukrainase në Dublin.

Dhe ndërkohë që negociatorët nga SHBA-ja dhe Ukraina po zhvillonin bisedime në Abu Dabi, Volodymyr Zelensky po i drejtohej parlamentit danez.

Në fjalën e tij, udhëheqësi ukrainas vuri në pah forcën dhe unitetin evropian përballë Rusisë, duke deklaruar: "Evropa është mjaftueshëm e bashkuar dhe e fortë për të mbrojtur interesat e veta. Sot, ne bashkëpunojmë në kaq shumë mënyra, saqë gjeneratat e mëparshme të evropianëve thjesht nuk mund ta bënin një gjë të tillë".

Zelensky theksoi se ekziston mundësia që Evropa të shndërrohet në një "aktor të vërtetë global" dhe falënderoi deputetët danezë të pranishëm që "nuk e kanë larguar kurrë vëmendjen nga Ukraina".

Vendet skandinave kanë qenë ndër mbështetësit më të palëkundur të Ukrainës.

Zelensky e përfundoi fjalimin e tij, siç bën shpesh, me thirrjen "Slava Ukraini" (Lavdi Ukrainës), duke marrë duartrokitje të gjata në këmbë nga të pranishmit. /Telegrafi/