Tronditet diplomacia ruse, vdes papritur ambasadori i Putinit në SHBA
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë papritur në moshën 66-vjeçare. Lajmi u konfirmua të mërkurën nga Ministria e Jashtme ruse, ndërsa rrethanat dhe shkaqet e vdekjes nuk janë bërë ende publike.
Në reagimin zyrtar, diplomacia ruse e vlerësoi Darchiev si një profesionist të jashtëzakonshëm, i cili kishte shërbyer në një prej posteve më të vështira të politikës së jashtme të Moskës.
Ministria shprehu ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e diplomatit, pa dhënë detaje të tjera lidhur me vdekjen e tij të papritur.
Alexander Darchiev ishte emëruar ambasador i Rusisë në Uashington nga presidenti Vladimir Putin në mars të vitit 2025. Ai kishte një karrierë të gjatë në shërbimin diplomatik rus dhe njihej për qëndrimet e tij kritike ndaj Perëndimit.
Përpara se të merrte detyrën në SHBA, Darchiev kishte mbajtur disa poste të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, duke u konsideruar një diplomat me përvojë në marrëdhëniet mes Moskës dhe vendeve perëndimore.
Vdekja e tij vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Rusisë dhe SHBA-së, ndërsa deri më tani nuk ka një informacion zyrtar për shkakun e ndarjes së tij nga jeta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



