Bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Abu Dhabi me synimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, kanë përfunduar pas dy ditësh diskutimesh pa arritur ndonjë përparim konkret drejt një marrëveshjeje paqeje.
Pala amerikane deklaroi se gjatë negociatave u vunë re “disa mundësi për përparim”, por nuk pati sinjale për një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit, tashmë në vitin e tij të pestë pas pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithatë, Moska dhe Kievi konfirmuan se po punohet për një shkëmbim në shkallë të gjerë të të burgosurve të luftës, i cili mund të realizohet së shpejti.
Davyd Arakhamia, pjesë e ekipit negociator ukrainas, i cilësoi këto bisedime, të parat që prej muajit shkurt, si “një nga raundet më të vështira”.
Ai tha se pala ruse kishte ardhur me udhëzime shumë të rrepta, duke e bërë të vështirë zbutjen e qëndrimeve gjatë diskutimeve.
Megjithatë, Arakhamia vlerësoi se kishte “një moment të mirë” dhe kërkoi organizimin sa më të shpejtë të një raundi tjetër negociatash, sipas BBC.
Më pak pajtues ishte qëndrimi i negociatorit të Kremlinit, Vladimir Medinsky, i cili deklaroi se shumëçka varet nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe qëndrimi i Europës.
Pas përfundimit të bisedimeve u bë e ditur se negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin dhe më pas në Dublin, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një nga temat kryesore të diskutimeve në Abu Dhabi ishte krijimi i një arkitekture të re të sigurisë për Europën. Për Kievin, kjo mund të përfshijë garanci se aleatët do ta ndihmojnë Ukrainën në rast të një sulmi të ri, edhe pse vendi nuk është anëtar i NATO-s.
Ndërsa për Moskën, një kornizë e re sigurie ka të ngjarë të përfshijë kufizimin e ndikimit të NATO-s në Europën Lindore, një nga shqetësimet kryesore të Kremlinit prej zgjerimit të aleancës drejt lindjes.
Më herët gjatë javës, Jared Kushner kishte deklaruar se SHBA synon të krijojë një “kornizë të re” sigurie mes Ukrainës, Rusisë dhe Europës, e cila do të mundësonte një paqe të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, negociatori rus Medinsky kishte folur për nevojën e një sistemi të ri dhe të drejtë sigurie, duke e krahasuar atë me një “Jaltë dhe Potsdam të ri”, në referencë të konferencave të viteve 1940, kur fuqitë aleate përcaktuan sferat e ndikimit në Europën e pasluftës.
Në Abu Dhabi ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Britanisë së Madhe, NATO-s dhe disa vendeve të Bashkimit Europian, të cilët zhvilluan takime me negociatorët amerikanë dhe ukrainas.
Megjithatë, Kremlini deklaroi se delegacioni rus nuk kishte pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit europianë. Moska ka kundërshtuar vazhdimisht përfshirjen e Europës në negociata, ndërsa vendet europiane këmbëngulin se siguria e kontinentit është e lidhur drejtpërdrejt me të ardhmen e Ukrainës.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane paralajmëroi se marrëveshjet nuk mund të zbatohen nëse nuk arrihet konsensus mes vendeve anëtare të NATO-s. Ndërkohë, Kushner tha se SHBA dëshiron që Europa të përfshihet në proces dhe se kjo çështje do të jetë pjesë e diskutimeve me presidentin Putin.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet koha e vendosjes së armëpushimit. Ukraina dhe vendet europiane kërkojnë që ndalimi i luftimeve të paraprijë negociatat për një marrëveshje të sigurisë, ndërsa Kremlini këmbëngul se luftimet duhet të përfundojnë vetëm pasi të jetë arritur një marrëveshje.
Megjithatë, çdo marrëveshje për sigurinë pas luftës varet nga përfundimi i konfliktit. Sipas Kushner, kjo nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje për çështjen e territoreve dhe të gjitha çështjet e tjera dypalëshe.
Që prej nisjes së negociatave, një nga pengesat kryesore ka qenë rajoni lindor i Donetskut, pjesa më e madhe e të cilit kontrollohet nga Rusia. Kievi kërkon ngrirjen e vijës aktuale të frontit, në mënyrë që të ruajë kontrollin mbi territoret që ende mban dhe që i konsideron thelbësore për sigurinë e vendit.
Moska, nga ana tjetër, nuk ka hequr dorë nga kërkesa që Ukraina të tërhiqet edhe nga pjesët e Donetskut që vazhdon të kontrollojë. Negociatori rus Medinsky deklaroi se “çdo pëllëmbë” e territorit do t’i kthehet Rusisë, në një mënyrë ose në një tjetër.
Jared Kushner pranoi se çështja territoriale mbetet më e vështira në negociata. Ndërsa Kyrylo Budanov, shefi i kabinetit të presidentit ukrainas dhe një prej negociatorëve të Kievit, shmangu komentet nëse Rusia vazhdon të kërkojë tërheqjen e Ukrainës nga rajoni.
Më vonë, Budanov i cilësoi bisedimet si “të vështira” dhe theksoi se përparësia e Ukrainës është të sigurojë që Rusia të mos mund ta sulmojë më vendin në të ardhmen.
“Këto marrëveshje janë shumë të vështira dhe komplekse. Kjo është një çështje shumë emocionale dhe e ndërlikuar. Aktualisht nuk ka besim mes palëve dhe kjo është e pritshme pas një konflikti të tillë”, deklaroi Kushner.