Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për periudhën 2023–2025 ka nxjerrë në pah një situatë të rëndë të menaxhimit financiar, prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit në Bashkinë e Pogradecit, të drejtuar nga kryebashkiaku Ilir Xhakolli.
Sipas gjetjeve të audituesve të KLSH-së, deri në fund të vitit 2025 Bashkia Pogradec numëronte një stok detyrimesh të pambledhura prej 292.156.538 lekësh. Vetëm gjatë vitit 2025 janë krijuar 116.4 milionë lekë detyrime të reja.
Familjet debitore: 5.135 familje i detyrohen arkës vendore 122.5 milionë lekë.
Bizneset: 504 subjekte tregtare nuk kanë shlyer 85 milionë lekë taksa e tarifa.
Taka e infrastrukturës (ndërtimet e legalizuara): 458 persona rezultojnë me 50.8 milionë lekë detyrime të papaguara.
Përdorimi i aseteve dhe tokave bujqësore: 54 subjekte (përfshirë shfrytëzues të aseteve nga HEC-et) i detyrohen bashkisë 33.8 milionë lekë.
Mungesa e arkëtimeve ka goditur drejtpërdrejt investimet publike: nga 272.2 milionë lekë të parashikuara për vitin 2025, janë realizuar vetëm 67% e tyre (me 89.5 milionë lekë të parealizuara). Në total, bashkia ka mbyllur vitin me 204 milionë lekë fatura të palikuiduara dhe detyrime gjyqësore.
KLSH ka audituar 19 procedura prokurimi publik, ku në 9 prej tyre janë konstatuar kritere kualifikimi të paqarta ose të paargumentuara teknikisht.
Fitues pa plotësuar kriteret: Në tenderët për rehabilitimin e lumit të Çërravës dhe përfundimin e punimeve në lumin e Buçimasit, janë shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk përmbushnin kërkesat e dokumenteve të tenderit.
Copëzim fondesh: Blerjet për uniformat e Policisë Bashkiake dhe veshjet e zjarrfikësve janë copëzuar për të shmangur procedurat standarde të tenderimit.
Shkelje të tjera: Tejkalime afatesh vlerësimi në 7 procedura, mungesë deklaratash për konflikt interesi dhe projekt-preventiva të hartuara nga personazhe pa licencat përkatëse profesionale.
Në 9 kontrata investimesh publike (rrugë, shkolla, ujësjellës dhe ujitje), audituesit zbuluan situacione pagesash për volum punimesh që nuk ishin kryer faktikisht, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 2.2 milionë lekësh (pa TVSH).
Sa i përket kontrollit të territorit:
Nga 28 vendime prishjeje për ndërtime pa leje, janë ekzekutuar vetëm 7.
Në 20 raste, Inspektorati Mbrojtjes së Territorit (IMTV) nuk ka dokumentuar referimin penal të shkeljeve.
Nga 15.6 milionë lekë gjoba të vendosura gjatë periudhës 2023–2025, bashkia ka arritur të vjelë vetëm 1.18 milionë lekë (7.6%).
Në përfundim, KLSH ka lëshuar opinion të kualifikuar me 43 gjetje dhe 48 rekomandime, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi menaxhimin e fondeve publike dhe zbatimin e ligjit nga administrata e Bashkisë Pogradec.