Rreth 150 mijë lodra për fëmijë, të ndaluara në kufirin e Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të sigurisë, do t’u nënshtrohen procedurave të kthimit në Kinë ose shkatërrimit. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila thotë se kryen kontrolle të vazhdueshme edhe për lodrat që tashmë shiten në vend. Por, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, e kundërshton këtë vlerësim. “Ky treg është totalisht i pakontrolluar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur mungesën e inspektorëve të specializuar dhe testimeve laboratorike. Ministria nuk konfirmoi nëse do të kontrollohen kompanitë importuese për të verifikuar nëse produkte të njëjta me lodrat e ndaluara, gjenden tashmë në shitje.