55 nga 60 familjet e verifikuara nga Prokuroria e Elbasanit janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike në muajt maj-qershor 2026, pasi dyshohet se ishin përfshirë në listat e përfituesve në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, për të siguruar vota për kandidaten e atëhershme të PS-së, Sara Mila.
Ky fakt evidentohet në dosjen hetimore të Prokurorisë së Elbasanit, ku ngrihen dyshime se skema e ndihmës ekonomike është përdorur për qëllime elektorale. Sipas dokumentit, bëhet fjalë për 55 familje nga 60 të marra në kampionin e hetimit, të cilat humbën përfitimin pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Nga verifikimet dhe përfitimet e shtetasve të listuar në vendimin e sekuestrimit të datës 29.05.2026 për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 01.10.2024-01.04.2025, ka rezultuar se rreth 55 familje nga 60 që ishte kampioni i hetimit janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në muajt maj-qershor 2026”, thuhet në dosje.
Sipas hetimeve, punonjës të Shërbimit Social në Elbasan dyshohet se kanë shtuar në mënyrë fiktive numrin e familjeve përfituese gjatë fushatës zgjedhore. Aplikimet për disa qytetarë janë kryer nga vetë punonjësit, ndërsa një pjesë e personave të regjistruar rezultonin jashtë Shqipërisë, në emigracion.
Në dëshmitë e tyre, punonjës të institucionit kanë deklaruar se në mars 2025, pas nisjes së fushatës, drejtuesja u kishte kërkuar të rrisnin numrin e familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike.
Në komunikimet e administruara si prova në dosje përmendet edhe emri i deputetes Sara Mila. Prokuroria e Elbasanit ia ka përcjellë materialet SPAK-ut për të hetuar rolin e saj të mundshëm në këtë çështje.
Përjashtimet nga skema kanë ndodhur ndërkohë që hetimet kishin nisur dhe prokuroria kishte filluar të thërriste për deklarime persona me funksione shtetërore.
Sara Mila u paraqit këtë të mërkurë në SPAK, ku u pyet në lidhje me hetimin. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ajo deklaroi se po zhvillon një betejë për dinjitetin e saj dhe për t’u dhënë fund, sipas saj, sulmeve politike ndaj personit të saj.a.b





