Të paktën katër persona, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën në Rripin e Gazës pasi reshjet e dendura shkaktuan shembjen e një argjinature rëre mbi tendat ku strehoheshin familje palestineze të zhvendosura nga lufta.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në kampin Ard al-Ribat, në Deir el-Balah, në Gazën qendrore. Një masë e madhe rëre u shemb mbi tendat, duke zënë banorët poshtë saj dhe duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.
Mes viktimave ishte Tahrir, 36 vjeçe dhe pesë muajshe shtatzënë, si dhe dy fëmijët e saj, Salah, 8 vjeç, dhe Maryam, 6 vjeçe. I vetmi i mbijetuar nga familja është bashkëshorti i saj, Ahmed al-Nabhan, i cili ishte liruar pak kohë më parë nga paraburgimi izraelit, raporton “Al Jazeera”.
Në një tendë tjetër humbi jetën edhe Habiba, vetëm 4 vjeçe. Nëna dhe vëllai i saj ndodhen në kujdes intensiv.
Zahira al-Sahar, 58 vjeçe, e cila ndodhej në tendën e saj me vajzën 28-vjeçare kur ndodhi shembja, tregoi momentet e tmerrit. Ajo tha se rëra e kishte mbuluar deri në qafë, ndërsa vajza ishte pothuajse tërësisht e varrosur.
Djemtë e saj arritën të nxirrnin fillimisht vajzën dhe më pas atë vetë. Por për fqinjët e tyre nuk pati të njëjtin fat. “Fqinjët tanë janë varrosur”, thirri gruaja e dëshpëruar, ndërsa kërkonte ndihmë për familjen al-Nabhan.
Banorët që u përpoqën të shpëtonin të bllokuarit thanë se shembja ndodhi pas vetëm pak minutash reshjesh. Përmasat e saj ishin aq të mëdha sa ndërhyrja me mjetet që kishin në dispozicion rezultoi e pamjaftueshme.
Përmasat e emergjencës në Gaza janë të mëdha. Sipas UNICEF-it, reshjet e dendura kanë prekur drejtpërdrejt rreth 106 mijë persona, ndërsa mijëra tenda të familjeve të zhvendosura janë përmbytur.
OKB-ja vlerëson se rreth 1.4 milionë njerëz, ose 65 për qind e popullsisë së Gazës, jetonin në tenda dhe strehime të improvizuara kur mbërritën stuhitë e para të dimrit.
Situata rëndohet nga shkatërrimi i infrastrukturës gjatë luftës. Sistemet e kullimit janë dëmtuar rëndë, rrugët janë në gjendje të keqe dhe autoritetet vendore nuk kanë pajisjet e nevojshme për të larguar ujin e grumbulluar.
Shaima al-Daour, 22 vjeçe, infermiere në kampin Ard al-Ribat, tregoi për përpjekjet për të shpëtuar të plagosurit. Ajo tha se ishte përpjekur të ringjallte një fëmijë të nxjerrë nga rrënojat, por ai kishte pësuar hemorragji të brendshme dhe nuk arriti të mbijetonte.
Infermierja rrëfeu gjithashtu se një 15-vjeçar me vështirësi në frymëmarrje kishte nevojë urgjente për t’u transportuar në spital, por në zonë nuk kishte ambulancë në dispozicion.
Kjo është stuhia e parë e madhe dimërore që ka goditur Gazën që prej 6 nëntorit. Rreziku pritet të shtohet, ndërsa qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të jetojnë në tenda të dëmtuara, të ekspozuar ndaj reshjeve dhe temperaturave të ulëta.

