Donald Trump deklaroi se përplasja me Iranin nuk nisi nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Teherani është në konflikt me Uashingtonin që prej vitit 1979.
Presidenti foli në ceremoninë e Ditës së Veteranëve, zhvilluar në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku tha se kjo çështje duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Në fjalën e mbajtur në Amfiteatrin Memorial, ai pretendoi se SHBA-të e kanë fituar luftën, por shtoi se synimi i administratës së tij është një fitore e plotë.
Të lidhura
None found
“Mbetet vetëm të vendosim se kur duam ta përfundojmë. Synojmë një fitore të plotë, jo një fitore prej 93%”, tha Trump.
Ai parashikoi se konflikti mund të marrë fund së shpejti dhe pretendoi se Iranit do t’i duhen rreth 25 vjet për të rindërtuar dëmet e shkaktuara nga lufta. “Do t’u duhen atyre 25 vjet për të rindërtuar atë që shkatërruam dhe shpresoj se nuk do të na duhet të shkatërrojmë më shumë nga ky vend”, u shpreh presidenti.
Trump krahasoi luftërat e mëparshme ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, përfshirë ato në Kore, Vietnam, Irak dhe Afganistan, me operacionin amerikan në Venezuelë. Sipas tij, ky operacion çoi në rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro në janar.
Duke iu referuar kohëzgjatjes dhe viktimave të konflikteve të mëparshme, ai tha se SHBA-të pothuajse nuk kishin përfituar prej tyre. Ndërsa ndërhyrjen në Venezuelë e cilësoi sukses të jashtëzakonshëm, duke pretenduar se ajo përfundoi brenda 48 minutash.
Ai foli edhe për përfitimet që, sipas tij, do të sigurojë Amerika nga nafta dhe burimet e tjera të Venezuelës. “Ne fitojmë miliarda e miliarda dollarë nga nafta dhe të gjitha llojet e tjera të mallrave. Do të jenë qindra miliarda. Askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë dhe ne tashmë e kemi mbuluar koston e luftës shumë, shumë herë”, deklaroi Trump.
Në fund të fjalimit, presidenti përmendi planin për të ndërtuar një hark triumfi rreth 250 metra të lartë, ndërmjet Memorialit të Abraham Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit. Ai tha se monumenti do t’u kushtohet veteranëve dhe ushtrisë amerikane.
Projekti është kundërshtuar në gjykata. Kritikët argumentojnë se ndërtimi mund të cenojë pamjen historike të kryeqytetit amerikan.
Trump nuk foli drejtpërdrejt për zgjedhjet e mesit të mandatit, por pranoi se administrata e tij do të ndeshet me disa pengesa, të cilat, sipas tij, do të kapërcehen. “Po bëjmë gjëra që askush nuk i mendonte kurrë se ishin të mundshme dhe, po, do të përballemi me disa pengesa të vogla. Do t’i trajtojmë ato shumë mirë”, përfundoi ai.






