Studentët e Mjekësisë në Kosovë nuk tërhiqen nga bojkoti, paralajmërojnë protesta para Rektoratit Një sasi e konsiderueshme armësh është zbuluar në një automjet me targa të huaja, gjatë kontrollit me skaner nga Dogana e Kosovës.
Në lidhje me rastin është arrestuar një shtetas gjerman, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar 43 armë dhe 41 karikatorë.
Dogana e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me operacionin, duke bërë të ditur se zbulimi është realizuar gjatë kontrollit dhe skanimit të një automjeti të tipit VW Caddy, me targa të huaja.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit përmes pajisjeve skanuese janë identifikuar dhe zbuluar 42 pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov), një pushkë e tipit Walther, si dhe 41 karikatorë për armët AK-47.
Pas identifikimit të ngarkesës, rasti është trajtuar në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente të drejtësisë, raporton Gazeta Express.
Dogana ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës amerikane në Kosovë, përmes së cilës janë fuqizuar kapacitetet teknologjike dhe operative të institucionit.
Sipas Doganës, pajisjet skanuese të siguruara me këtë mbështetje kanë luajtur rol të rëndësishëm në zbulimin e armëve.
Ndërkohë, lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas gjerman me inicialet L.S., nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e kundërligjshëm të armëve.
Sipas Prokurorisë Speciale, arrestimi është realizuar në kuadër të hetimeve të përbashkëta, ndërsa automjeti me të cilin po udhëtonte i dyshuari është ndaluar në rajonin e Gjilanit dhe më pas është dërguar për kontroll e skanim të mëtejshëm.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ai dyshohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim apo shitje të paautorizuar të armëve ose materieve plasëse.

Top Channel