Zëvendësministrja e Brendshme, Silva Caka, ka folur në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, për progresin në ecurinë pë mbylljen e kapitujve 23 dhe 24, detyrimet e marra nga Komisioni Europian, luftën kundër krimit të organizuar, gjashtë reformat e Ministrisë së Brendshme dhe dialogun me opozitën.
Caka e ka cilësuar progres-raportin e fundit për Shqipërinë si një nga raportet më të mira sa i përket ecurisë së vendit në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Duke u ndalur te Kapitulli 24, që lidhet me Drejtësinë, Sigurinë dhe Lirinë, Caka theksoi se ky është një nga kapitujt më të rëndësishëm, pasi përfshin një sërë fushash që janë në përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme, si lufta kundër drogërave, krimit të organizuar, anti-trafikimi, migracioni, kufijtë, azili dhe fusha të tjera.
Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të mirë për grup-kapitullin e parë, ose të ashtuquajturat kapituj themelorë, ku përfshihen kapitujt 23 dhe 24. Ajo bëri të ditur se vendi ka marrë tashmë edhe përfundimet operacionale dhe se aktualisht negociatat janë përqendruar te afatet dhe mënyra se si duhet të përmbushen detyrimet e përcaktuara nga Bashkimi Europian.
“Ne ndodhemi në një fazë shumë të mirë, konkretisht për grup-kapitullin e parë, ose themeloret, ku përfshihet kapitulli 23 dhe 24. Sapo kemi marrë edhe përfundimet operacionale. Jemi në faza negocimi për afatet, për mënyrën sesi i kërkojnë këto detyra shtëpie që të kryhen nga ana jonë dhe patjetër që do të plotësohen të gjitha në kohën e përcaktuar nga BE”, u shpreh Caka.
Caka tha se detyrimet e përcaktuara nga Komisioni Europian janë të qarta dhe shpjegohen në mënyrë të vazhdueshme në çdo takim që zhvillohet me përfaqësuesit e tij. Sipas zëvendësministres, kërkesat ndaj Shqipërisë shtohen çdo ditë e më shumë, por qeveria është e përgatitur për të përballuar këtë angazhim, jo vetëm përmes rritjes së kapaciteteve dhe miratimit të ligjeve të reja, por edhe në aspektin financiar, me synimin për të arritur standardet e një vendi anëtar të BE-së.
Caka u ndal edhe te vlerësimi pozitiv që Shqipëria mori në Konferencën Ndërqeveritare të muajit maj, kur u përmbyll edhe raporti IBAR. Ajo shpjegoi se pas këtij vlerësimi, puna do të vijojë në të njëjtat fusha, por tashmë fokusi do të jetë te zbatimi konkret i angazhimeve të marra.
Si shembull, ajo përmendi Strategjinë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, e cila ishte miratuar në kuadër të procesit të IBAR-it. Sipas saj, tashmë nga institucionet shqiptare pritet që kjo strategji të mos mbetet vetëm një dokument në letër, por të zbatohet në praktikë, duke realizuar çdo angazhim të përcaktuar në të.
Në këtë strategji janë përcaktuar detyra specifike për disa institucione, mes të cilave Policia e Shtetit, SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si dhe Zyra e Menaxhimit dhe Rikuperimit të Aseteve.
“Lufta kundër krimit të organizuar në rastin konkret është një luftë që nuk zhvillohet vetëm nga një institucion, por janë disa institucione që kanë ndërmarrë angazhime dhe pritet që këto angazhime të realizohen në një masë të caktuar, që e vendosin ata sipas kërkesave të tyre”, deklaroi zëvendësministrja.
Duke folur për kohën që i është dashur Shqipërisë për të përmbushur fazat e procesit të integrimit, Caka solli në vëmendje edhe krahasimin me Malin e Zi. Sipas saj, këtij vendi iu deshën 10 vite e disa muaj për të realizuar procesin e IBAR-it për kapitujt 23 dhe 24, ndërsa Shqipëria arriti ta përmbyllte këtë fazë brenda një viti e tre muajsh.
Ajo shtoi se një ecuri e ngjashme po ndiqet edhe për piketat përmbyllëse, duke theksuar se Mali i Zi ka pasur nevojë për më shumë kohë dhe ende nuk e ka mbyllur kapitullin përkatës.
“Ne synojmë që t’i dorëzojmë të gjitha detyrat që na janë lënë nga Komisioni Europian, në afatet që na janë përcaktuar. Pastaj ngelet në vlerësimin e tyre nëse janë realizuar detyrat me sukses apo jo”, u shpreh Caka.
Sipas saj, përmbushja e detyrimeve kërkon që institucionet shqiptare të arrijnë të njëjtin standard me institucionet e Bashkimit Europian. “Nuk besoj se do të kishte nevojë që ne të merrnim detyra shtëpie nëse do ta kishim standardin dhe nivelin e institucioneve tona të njëjtë me atë të BE-së. Ne e synojmë atë standard dhe për këtë punojmë”, tha ajo.
Sa i përket punës së Ministrisë së Brendshme, Caka bëri të ditur se angazhimet janë të përqendruara kryesisht në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore. Kjo, sipas saj, nënkupton shtimin e numrit të punonjësve, por edhe trajnimin e vazhdueshëm të tyre, në mënyrë që të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e ndryshme.
Ajo mori si shembull strukturat e Policisë së Shtetit, veçanërisht ato të kufirit dhe migracionit, ku punonjësit duhet të trajnohen për të përballuar situata të ndryshme, përfshirë edhe krizat e mundshme të kontigjencës.
Caka shpjegoi se rritja e kapaciteteve nuk lidhet vetëm me numrin e punonjësve, por edhe me përgatitjen profesionale të tyre përmes trajnimeve të ndryshme, të cilat ofrohen nga struktura dhe projekte të Bashkimit Europian.
Një tjetër fushë ku Shqipëria duhet të përmirësohet, sipas saj, është ndërveprimi me sisteme të ndryshme, veçanërisht në luftën kundër drogërave dhe krimit të organizuar. Ajo theksoi se edhe migracioni i paligjshëm përbën një formë të krimit të organizuar dhe se ndryshimi i metodave të veprimit të grupeve kriminale kërkon edhe ndryshimin e mënyrës së hetimit nga institucionet shqiptare.
“Në momentin kur nuk veprohet më me metodat tradicionale, edhe strukturat tona nuk duhet të hetojnë më me metoda tradicionale”, u shpreh Caka.
Zëvendësministrja foli edhe për mbështetjen që Bashkimi Europian po i jep Shqipërisë në këtë proces, duke theksuar se kjo mbështetje është shtuar në funksion të rritjes së objektivave dhe përmbushjes së reformave.
Sipas saj, financimi nga donatorët lidhet drejtpërdrejt me rezultatet konkrete që arrijnë institucionet. “Donatorët nuk ndihmojnë asnjëherë nëse produkti nuk është pozitiv. Asnjë shtet i BE-së nuk i shpenzon paratë për një produkt që nuk ka për të ardhur kurrë”, deklaroi ajo.
Caka bëri të ditur se në Ministrinë e Brendshme janë ndërmarrë gjashtë reforma, të cilat, në momentin që realizohen me sukses dhe brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Europian, do të sjellin financime në buxhetin e shtetit.
Ajo pranoi se mbetet ende shumë punë për t'u bërë, por theksoi se ekziston vullneti politik për të përmbushur angazhimet e ndërmarra.
Në fund të deklaratës, zëvendësministrja e Brendshme u ndal edhe te zhvillimet politike në vend, duke folur për protestat dhe bashkëpunimin me opozitën për realizimin e Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale.
Caka tha se qeveria shqiptare është ofruar për dialog me protestuesit, ndërsa ka kërkuar edhe bashkëpunimin e partive opozitare për të çuar përpara këto reforma.
Sipas saj, për qeverinë është e rëndësishme që Bashkimit Europian t'i tregohet se institucionet shqiptare kanë vullnetin për të zgjidhur çdo krizë të krijuar përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ne t’i tregojmë BE-së që vullneti nga ana e institucioneve për ta zgjidhur çdo lloj krize të krijuar, ekziston. Pastaj komportimi i palës tjetër nuk është në dorë të qeverisë”, përfundoi Caka.










Komente
Komento