E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Det i Trazuar deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 41 sekonda më parë
Politikë

Ministri Hoxha zbulon ecurinë e negociatave: 4 kapituj të mbyllur, 23 të tjerë gjatë vitit 2027

Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, deklaron se objektivi i Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2027 është ambicioz dhe realist.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Budapesti në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Hoxha bëri një përmbledhje të ecurisë së procesit, duke bërë të ditur se deri më tani janë mbyllur katër kapituj negociues. Sipas z.Hoxha, pesë të tjerë synohet të mbyllen deri në fund të këtij viti.

Ai komentoi edhe ndikimin e situatës politike dhe protestave në procesin e integrimit, duke i cilësuar protestat paqësore si shenjë pjekurie të shoqërisë, ndërsa përshkallëzimin e dhunshëm pas 13 tetorit si shqetësues.

Gjatë intervistës, ministri foli edhe për buxhetin e Ministrisë së Jashtme për vitin e ardhshëm, përfaqësitë diplomatike dhe numrin e diplomatëve shqiptarë jashtë vendit.

Reklamë

INTERVISTA E PLOTË:

Sa kapituj ka gjithsej, sa janë mbyllur dhe në çfarë faze janë kapitujt e tjerë që janë të rëndësishëm në kuptimin e renditjes?

Ferit Hoxha: Është një projekt-objektiv ambicioz, por, siç është theksuar tashmë nga të gjithë të përfshirët në Raportin e Progresit dhe në hartën e rrugës që është miratuar më 4 nëntor, është realist. E kemi thënë këtë që prej dy vitesh dhe, për hir të së vërtetës, kemi treguar që me angazhimin dhe aftësitë për të punuar e për të realizuar reformat t’ia dalim të mbajmë premtimet që kemi bërë. Kapitujt janë 33, të cilët janë hapur në një kohë rekord nga tetori i vitit 2024 deri në dhjetor të vitit 2025, pra, për një kohë rekord prej 11 muajsh janë hapur 6 grup-kapituj. Në gjashtëmujorin e parë u bë përpjekja madhore për të kaluar atë që unë e kam quajtur si provimi kryesor në mes të rrugës së integrimit, në mes të procesit teknik, që ishte mbyllja e piketave të ndërmjetme. Ajo kishte një qasje tjetër, përmbajtje tjetër dhe rëndësi tjetër me metodologjinë e re, sepse pa mbylljen e tyre ne nuk do të mund të fillonim fazën e fundit përfundimtare të procesit që është mbyllja e kapitujve, të cilën e filluam në korrikun e kaluar. Kemi mbyllur tre kapituj në korrik, kemi mbyllur një kapitull tjetër në tetor dhe shpresojmë të mbyllim një numër tjetër deri në fund të këtij viti. Angazhimi ynë ka qenë dhe vazhdon të mbetet që të mbyllim sa më shumë të jetë e mundur këtë vit. Në hartën e rrugës janë përcaktuar pesë kapituj. Ne do të mundohemi ta mbajmë këtë premtim. Po ashtu, harta e rrugës, e cila nuk është më thjesht një angazhim siç ka qenë deri tani një angazhim i prerë i palës sonë që mbështetej nga Komisioni Europian, është tashmë një plan i përbashkët i sanksionuar në një dokument zyrtar të Bashkimit Europian. Në këtë hartë rruge për vitin e ardhshëm parashikohet që 10 kapituj të mbyllen gjatë gjashtëmujorit të parë nën Presidencën e Lituanisë dhe 13 kapituj gjatë gjashtëmujorit të dytë nën Presidencën Greke.

Sa kanë ndikuar protestat në Shqipëri në këto pesë muaj në këtë proces të monitorimit të aftësive politike të Shqipërisë për të aderuar?

Ferit Hoxha: Të gjitha këto çështje janë të specifikuara, të qartësuara, të shpjeguara dhe të vlerësuara në Raportin e Progresit. Natyrisht që Raporti i Progresit ka dy anë: njëra është historia e progresit dhe e shkallës së përgatitjes së Shqipërisë, dhe tjetra është ajo që duhet bërë më shumë përmes rekomandimeve që jep Komisioni Europian. Këto rekomandime i jepen jo vetëm qeverisë, por të gjitha institucioneve të përfshira, në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet në shkallën e duhur sipas angazhimeve të marra. Në mënyrë të padiskutueshme, çdo përparim që bëhet në të gjitha këto fusha, të cilat kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e demokracisë dhe të institucioneve, është shumë i rëndësishëm, sepse pa funksionimin normal të parlamentit nuk mund të miratohen ligjet, e pa miratuar ligjet nuk do të mund të plotësohen angazhimet dhe piketat përmbyllëse në kapituj. Ky është një mesazh si për qeverinë e shumicën, ashtu edhe për pakicën, shoqërinë shqiptare, median dhe shoqërinë civile. Lidhur me pyetjen tuaj për situatën politike dhe protestat: protestat paqësore që filluan në fund të majit e vazhduan deri në mes të tetorit kanë qenë një shenjë pjekurie e shoqërisë dhe dëshmi se e drejta për të protestuar ka qenë në pajtim me praktikat europiane. Mirëpo, nga momenti i 13 tetorit kur protesta u kthye në një manifestim të dhunshëm, natyrisht që kjo ka shprehur shqetësim dhe ka qenë pjesë e diskutimeve për të parë se si mund të parandalohet që të mos bëhet pengesë për ecurinë e procesit.

Buxheti i Ministrisë së Jashtme po miratohet ashtu si për të gjitha dikasteret. Sa është ai, sa përfaqësi diplomatike ka Shqipëria dhe sa diplomatë ka nëpër botë?

Ferit Hoxha: Është buxheti më ambicioz që ka pasur Ministria e Punëve të Jashtme, si një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë. Buxheti është rreth 3.91 miliardë lekë, afërsisht 40 milionë euro me kursin e sotëm, që është 6% më shumë se viti i kaluar dhe 82% më i lartë krahasuar me vitin 2013. Shqipëria ka 62 përfaqësi diplomatike, ambasada, misione të përhershme dhe konsullata. Numri i diplomatëve jashtë vendit sot është 220 personela, ndërsa në aparatin qendror në Tiranë janë rreth 130 diplomatë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.