Gjermania, Sllovenia dhe Finlanda në një grup me Shqipërinë? Simulimi zbulon shortin që ëndërrojnë kuqezinjtë Për Jude Bellingham, sponsorët sportivë përfaqësojnë vetëm një pjesë të popullaritetit të tij. Ylli i Real Madridit dhe i kombëtares angleze është një prej figurave më të kërkuara edhe nga markat e mëdha të modës dhe revistat më prestigjioze ndërkombëtare. Pikërisht në kuadër të një interviste për revistën Vogue, ish-mesfushori i Borussia Dortmundit ka rrëfyer aspekte të ndryshme të jetës së tij, mes një fotografie dhe tjetrës, në prag të publikimit të numrit të dhjetorit.
Pavarësisht famës ndërkombëtare, sukseseve në fushën e lojës dhe vëmendjes së vazhdueshme mediatike, Bellingham duket se ka ruajtur një lidhje të fortë me jetën e tij personale. Larg imazhit të një kampioni të paarritshëm, talenti anglez është rrëfyer hapur, duke folur për familjen, hapat e parë në karrierë dhe vështirësitë që has në menaxhimin e përditshmërisë.
FUTBOLLI NUK ISHTE PRIORITET- Në fakt, kur ishte fëmijë, futbolli nuk përbënte një pasion të madh për të. Ishte babai i tij, ish-futbollist amator me një shifër të jashtëzakonshme prej 700 golash të shënuar, ai që e nxiti të krijonte lidhje me topin. ‘E vërteta është se në fillim futbolli nuk më interesonte shumë. Nuk kisha dëshirë të godisja një top’-tregon Bellingham.
Gjithçka ndryshoi kur vëllai i tij më i vogël, Jobe, nisi të luante futboll. Jude vendosi ta ndiqte dhe, që nga ai moment, rrugëtimi i tij mori një drejtim të qartë. Talenti i tij u shfaq shumë herët, duke e çuar deri te vendosja e një rekordi me fanellën e Birmingham Cityt: në moshën vetëm 16-vjeçare, ai u bë lojtari më i ri që debutonte me ekipin e parë në historinë e klubit. Ngjitja e tij drejt majave ishte e jashtëzakonshme, por pa lënë pas dore shkollën. ‘Megjithatë, nuk e kam braktisur kurrë shkollën’-vijoi ai, duke kujtuar këmbënguljen e prindërve, të cilët i kujtonin vazhdimisht se shkollimi dhe detyrat e përditshme duhej të mbeteshin gjithmonë prioritet.
I LIDHUR ME RRËNJËT E TIJ-Edhe pse jeta profesionale e ka çuar tashmë në Madrid, Bellingham vazhdon t’i konsiderojë rrënjët dhe lidhjet familjare, të cilat i ka lënë në Angli, si diçka thelbësore. Kur kthehet në shtëpi, ai nuk kërkon medoemos raste të veçanta apo argëtime ekskluzive. Për të, dita ideale përbëhet nga gjëra të thjeshta, si “të kalojë kohë me miqtë dhe familjarët, të pijë një kafe dhe të bëjë një shëtitje”. Një normalitet që futbollisti dëshiron ta ruajë edhe në marrëdhënien me tifozët. Bellingham nuk i pëlqen të shihet si një figurë e largët, thuajse e paprekshme, dhe e sheh me njëfarë skepticizmi prirjen për t’i kthyer futbollistët në idhuj që duhen adhuruar.
‘Besoj se ndonjëherë tifozët i vendosin futbollistët në piedestal dhe unë nuk dua të shihem në këtë mënyrë. Preferoj që, para së gjithash, të më shohin si një qenie njerëzore’-shprehet mesfushori
Kjo filozofi reflektohet edhe në raportin e tij me rrjetet sociale, të cilat i përdor me masë, pasi, sipas tij, ato mund të kenë një ndikim “shumë negativ”.
APLIKACIONI I TIJ PERSONAL-Për t’u ofruar tifozëve një hapësirë ndryshe, Bellingham ka vendosur të krijojë aplikacionin e tij personal, përmes të cilit ndan përmbajtje ekskluzive dhe momente nga jeta e tij, brenda dhe jashtë fushës së lojës. Një mënyrë kjo për të krijuar një kontakt të drejtpërdrejtë me ata që dëshirojnë ta ndjekin nga afër, pa qenë i detyruar të jetojë vazhdimisht nën vëmendjen e rrjeteve tradicionale sociale.
‘Nëse dikush është vërtet i interesuar për atë që bëj, mund ta shkarkojë aplikacionin. Në të kundërt, jo. Në fund të fundit, nuk jam edhe aq interesant’– tha ai me ironi.
Megjithatë, pas sigurisë që shfaq në fushën e lojës, fshihet një djalosh që nuk i fsheh vështirësitë që has në menaxhimin e jetës së përditshme.
‘NUK E KONSIDEROJ VETEN AQ TË PJEKUR’-Pjekuria profesionale, me sa duket, nuk përkon domosdoshmërisht me atë personale. ‘Në jetën personale, të them të drejtën, nuk ndihem edhe aq i pjekur… Jam i mirë në atë që bëj, por sa u përket të gjitha gjërave të tjera? Nuk jam edhe aq i zoti’– pranoi Bellingham.
Një rrëfim që zbulon një anë krejt ndryshe të futbollistit, krahasuar me imazhin e një kampioni të mësuar të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha përpara miliona shikuesve. Në jetën e përditshme, Bellingham pranon se mbështetet shpesh te njerëzit që ka pranë: ‘Për t’u marrë me gjërat praktike të jetës, mbështetem te miqtë dhe familja ime: kuzhinieri, personat që kujdesen për pastrimin, mamaja ime apo kushdo tjetër. Kjo është situata ime. Madje, ende nuk e kam marrë patentën e drejtimit të automjetit, sepse nuk kam pasur kohën e nevojshme’.
Megjithatë, ai nuk e sheh këtë si një gjendje të përhershme, pasi është i bindur se edhe jashtë futbollit do të ketë kohë për të mësuar dhe për t’u bërë më i pavarur: ‘Jam i sigurt se edhe për këtë do të vijë momenti dhe do të gjendet koha e duhur’.
KUPA E BOTËS-Personaliteti i tij spikat edhe kur flet për përvojën me kombëtaren angleze dhe Kupën e Botës, një kompeticion që ka lënë gjurmë të thella në karrierën e tij. ‘Për mua, Kupa e Botës ka qenë ndoshta përvoja më e bukur e jetës sime. Pikë’-shprehet Bellingham.
Ndër kujtimet më domethënëse veçon ndeshjen e 1/8-ve të finales kundër Meksikës, e zhvilluar në kushte veçanërisht të vështira, për shkak të lartësisë mbidetare, atmosferës së zjarrtë në tribuna dhe historisë që mbart stadiumi. Bellingham kujton gjithashtu atmosferën që përjetuan tifozët anglezë përpara televizorëve, të cilët duhej të përshtateshin me një orar krejt të pazakontë për të ndjekur ndeshjen. Futbollisti përmend madje edhe emisionin televiziv Pointless, të transmetuar nga BBC para fillimit të takimit.
‘Pashë një video të dikujt që thoshte se jeta kishte arritur kulmin e saj kur Anglia luante kundër Meksikës’-tregon ai. Më pas, me një buzëqeshje, kujton edhe reagimet e atyre që e kishin ndjekur atë natë të veçantë: ‘Nuk besoj se kam përjetuar ndonjëherë një natë kur të jem ndier kaq i lumtur dhe kaq krenar që jam anglez’.
JO PAS IMAGJINAZHIT TË NJË YLLI TË PËRSOSUR-Bellingham duket se dëshiron të mbajë një kufi të qartë mes figurës publike dhe njeriut që është në të vërtetë. Ai nuk heq dorë nga vetëbesimi, vendosmëria dhe ajo dozë guximi që e karakterizon sa herë zbret në fushën e lojës, por nuk ndien nevojën të interpretojë vazhdimisht rolin e një personazhi të famshëm të përsosur. Sepse, përtej golave, trofeve dhe pritshmërive, ai mbetet një i ri që ende po formon identitetin e tij. Dhe nuk ka frikë të pranojë se ka ende shumë për të mësuar.
Top Channel