Erjon Vishkulli kryen me sukses operacionin e dytë
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy pasi u qëllua me plumb gome nga Policia gjatë protestave, ka kryer me sukses operacionin e dytë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë i riu përmes një mesazhi të publikuar nga shtrati i spitalit, ku shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Megjithatë, ndërhyrja e fundit nuk shënon fundin e trajtimit. Vishkulli bën me dije se javën e ardhshme do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni, i cili do të ketë rëndësi të veçantë për rikuperimin e shikimit.
“Ndërhyrja sot kaloi me sukses. Por beteja vazhdon… Javën e ardhshme më pret një tjetër ndërhyrje, ndoshta më e rëndësishmja e gjithë këtij rrugëtimi, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin tim”, shkruan ai.
28-vjeçari thotë se shpresa e tij më e madhe është të rikthejë shikimin, ndërsa thekson se pavarësisht dhimbjeve dhe vështirësive të përjetuara, nuk ka ndërmend të dorëzohet.
“Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë!”, shprehet Vishkulli.
Në fund të mesazhit, ai falënderon të gjithë personat që janë lutur për të dhe i kanë dhënë kurajë gjatë këtij rrugëtimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



