Më shumë se 300 shkolla në Itali u evakuuan të mërkurën pas marrjes së alarmeve të rreme për bomba në disa vende evropiane. Ky është rasti më i fundit në një seri kërcënimesh dhe sulmesh kibernetike ndaj supermarketeve, bankave të gjakut, trafikut ajror dhe televizioneve.
Skocia, Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës njoftuan se edhe shumë prej shkollave të tyre kishin marrë një email kërcënues të ngjashëm nga jashtë vendit, por ai u identifikua shpejt si një mashtrim dhe nuk shkaktoi ndërprerjen e mësimit.
Në Itali, shumë prindër u detyruan të ndërprisnin aktivitetet e tyre dhe të nxitonin drejt shkollave për të marrë fëmijët.
“Vajza ime, Dafne, filloi të qante, sepse fëmijët nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte. Ajo ishte ende e tronditur kur shkova ta merrja”, tha Nensi Bego, prind i një nxënëseje në shkollën e mesme Mazzini në Romë, shkruan Reuters.
“Kjo është shumë bezdisëse. Është e qartë se bëhet fjalë thjesht për një mashtrim, që ndërpret mësimin dhe prish ditën e të gjithëve.”
Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se alarmet për bomba nuk përbënin asnjë rrezik dhe se policia dhe institucionet e tjera publike po e monitoronin situatën.
“Të gjithë nxënësit janë dërguar në një zonë të sigurt dhe mbeten nën mbikëqyrjen e stafit pedagogjik”, njoftoi një shkollë në Romë përmes një aplikacioni mesazhesh, duke iu drejtuar prindërve.
Sipas një kopjeje të mesazhit të parë nga Reuters, emaili i marrë në Itali ishte nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilayat të Misoginistanit”.
I njëjti autor i pretenduar kishte marrë përsipër përgjegjësinë edhe për kërcënimet me bomba përmes emailit, të dërguara të premten në redaksitë e mediave në Irlandë dhe Bullgari.

Rusia dhe Irani mohojnë akuzat
Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se Rusia mund të qëndrojë pas një fushate për të shkaktuar kaos në jetën e përditshme të vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën pas pushtimit rus. Moska i mohon këto akuza dhe e cilëson qëndrimin perëndimor si një fushatë shpifjesh.
Irani është një tjetër i dyshuar. Franca thirri të martën ambasadorin iranian, pasi akuzoi Teheranin për një sulm kibernetik që javën e kaluar nxori jashtë funksionit frigoriferët në qindra supermarkete.
Irani i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si “të pabaza dhe armiqësore”.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi të mërkurën se kërcënimet ishin “pjesë e një strategjie tashmë mjaft të qartë: përhapja e frikës dhe krijimi i ankthit”, raportoi agjencia e lajmeve Adnkronos.
“Jo gjithmonë bëhet fjalë për veprimtarinë e vendeve të huaja apo të aktorëve armiqësorë. Ka edhe njerëz që kërkojnë vëmendje dhe të çmendur, të cilët, në një moment të tillë, mezi presin të mbjellin terror në një qytet apo rajon”, shtoi ai.
Antonello Giannelli, kreu i Shoqatës Italiane të Drejtorëve të Shkollave, tha se alarmet kishin shkaktuar shqetësim te nxënësit, familjet dhe personeli shkollor.
“Edhe pse kërcënimet e sotme janë qartësisht mashtrime, nuk mund të nënvlerësojmë pasojat e incidenteve që alarmojnë komunitete të tëra shkollore dhe pengojnë zhvillimin normal të veprimtarive arsimore”, u shpreh ai.