Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Paketa fiskale 2027, kush fiton dhe kush paguan?

Mashtrim me investime të rreme dhe pastrim parash në Itali, 17 persona nën hetim, mes tyre edhe shqiptarë

20:24, 11/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Guardia di Finanza sekuestron pasuri me vlerë mbi 1.3 milionë euro. Hetimet shtrihen në shtatë provinca italiane dhe zbulojnë dy skema të dyshuara mashtrimi financiar.

Një operacion i Guardia di Finanza-s në Lecce të Italisë ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 1.3 milionë euro, në kuadër të një hetimi për mashtrim fiskal, pastrim parash dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Në këtë çështje janë 17 persona nën hetim, të dyshuar si organizatorë dhe pjesëtarë të një grupi kriminal që dyshohet se ushtronte aktivitet në disa zona të vendit.

Operacioni është zhvilluar nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare e Guardia di Finanza-s në Lecce, në bazë të hetimeve të koordinuara nga Prokuroria e Republikës dhe me urdhër të gjyqtarit të hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Lecces. Kontrollet dhe sekuestrimet janë kryer në provincat Lecce, Bari, Brindisi, Caserta, Foggia, Napoli dhe Milano.

Sipas autoriteteve italiane, një nga skemat e zbuluara lidhet me mashtrime ndaj qytetarëve përmes investimeve të rreme në tregtimin financiar online, të njohur si trading. Në këtë mekanizëm dyshohet se ishin përfshirë persona me origjinë shqiptare, të cilët u premtonin viktimave fitime të konsiderueshme nga operacione fiktive investimi, duke i bindur të transferonin shuma të ndryshme parash në llogari bankare. Më pas, paratë dyshohet se transferoheshin drejt llogarive jashtë vendit, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre dhe humbjen e gjurmëve financiare.

Një tjetër skemë e dyshuar mashtrimi realizohej përmes dy kompanive fiktive, të cilat lëshonin fatura për operacione që nuk ishin kryer realisht. Këto dokumente përdoreshin për të justifikuar transfertat bankare të kryera nga disa kompani që ushtronin aktivitetin e riparimit të automjeteve të dëmtuara nga breshëri, të njohura në Itali si “levabolli”. Sipas hetuesve, këto kompani ishin të lidhura me njërin prej personave nën hetim.

Pas transferimit të shumave në llogaritë e kompanive fiktive, paratë tërhiqeshin në cash dhe riktheheshin në dispozicion të grupit të dyshuar. Përmes këtij mekanizmi synohej fshehja e origjinës së paligjshme të parave, ndërsa regjistrimi i faturave për operacione të paqena në kontabilitet shërbente për të ulur artificialisht të ardhurat e deklaruara dhe për të shmangur detyrimet fiskale.

Hetimet janë mbështetur në analizimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara ndaj disa prej personave të përfshirë, si dhe në rindërtimin e lëvizjeve financiare përmes kontrolleve të thelluara bankare, duke ndjekur parimin hetimor “Follow the Money”, që nënkupton gjurmimin e lëvizjes së parave për të identifikuar burimin dhe destinacionin e tyre.

Në bazë të rezultateve të hetimeve, autoritetet gjyqësore kanë urdhëruar sekuestrimin e shumave monetare, kuotave të shoqërive tregtare, automjeteve dhe pasurive të paluajtshme që u atribuohen personave nën hetim. Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara kalon 1.3 milionë euro dhe lidhet me përfitimin e dyshuar nga veprat penale të hetuara./ Alba Kepi/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco