Përzgjedhja e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka avancuar në një fazë tjetër. Komisioni i Posaçëm ka vlerësuar nominimet dhe ka përzgjedhur kandidatët që i përmbushin kushtet kushtetuese dhe ligjore për të vijuar garën.
Provimi me shkrim është caktuar për 18 nëntor, kurse intervistat me gojë do të zhvillohen më 27 nëntor.
Të lidhura
None found
Vigan Qorrolli, kryetar i Komisionit të Posaçëm, tha se në përzgjedhje do të respektohen ligjshmëria, transparenca, paanshmëria dhe meritokracia, si dhe do të sigurohet trajtim i barabartë për të gjithë kandidatët.
Avokati Ardian Bajraktari, duke folur për “Bota sot” mbi rëndësinë e procesit dhe plotësimin e Gjykatës, u shpreh se pret që gjyqtarët e rinj të zgjidhen në mënyrë të ligjshme, transparente dhe mbi bazën e meritave.

Bajraktari paralajmëroi se përbërja e Gjykatës duhet plotësuar pa shtyrje, pasizvarritja e këtij procesi mund të cenojë funksionimin e institucionit dhe aftësinë e tij për të marrë vendime.
Sipas tij, shqetësimi është edhe më i madh për shkak se Gjykata Kushtetuese prej një kohe vepron me shtatë nga nëntë gjyqtarët që parashikohen në përbërjen e saj.
“Plotësimi i përbërjes së Gjykatës duhet të bëhet pa vonesa, pasi që gjatë vitit të ardhshëm ajo rrezikon të mbetet pa kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur dihet se Gjykata tashmë për një kohë funksionon me përbërje jo të plotë, përkatësisht me 7 nga 9 gjyqtarët sa duhet t’i ketë”, ka përfunduar Bajraktari për “Bota sot”.








