Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar zhvillimet politike dhe hetimet e SPAK, duke deklaruar se skandalet që përfshijnë qeverinë nuk kanë përfunduar dhe se priten të tjera çështje në Prokurorinë e Posaçme.

I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Shehi u shpreh se qeveria e drejtuar nga Edi Rama prej 14 vitesh është përfshirë, sipas tij, në një sërë skandalesh, ndërsa paralajmëroi se emra të tjerë mund të dalin përpara SPAK.

Sipas Shehit, problemi nuk lidhet vetëm me individë të caktuar, por me atë që ai e cilësoi si një piramidë të gjerë korrupsioni dhe një sistem ku institucionet nuk funksionojnë në mënyrë të pavarur.

Duke komentuar funksionimin e qeverisjes, kreu i LZHK-së pretendoi se Rama nuk qeveris më përmes institucioneve, por urdhëron dhe komandon ato segmente që ka nën kontroll.

Shehi u ndal edhe te çështja që lidhet me Sarën, duke theksuar se, sipas tij, ajo nuk është e vetmja pjesë e një problematike më të gjerë korrupsioni.

Ai vlerësoi punën e prokurorëve, por theksoi se ka ende çështje të rëndësishme që duhet të marrin përgjigje nga drejtësia.

“Kjo është një qeveri që ka 14 vjet, është e mbushur me skandale dhe jam i bindur se kjo do të vazhdojë dhe do shohim të tjerë në SPAK, skandal pas skandali. Shteti është si enë komunikuese, nuk mund të jetë një institucion i ndershëm…Rri një njeri, një sistem. Ky nuk qeveris më, urdhëron komandon ato segmente që i ka nën kontroll, pjesa tjetër e shtetit fatkeqësisht nuk funksionon…Kjo është fatkeqësi. Jam i sigurt se kjo do të vazhdojë dhe nuk është puna vetëm te Sara…Por brenda kësaj piramide të madhe të korrupsionit…kjo 1 vit ka që ka hyrë…Në rreshtin e zullumqarëve kjo është nga fundi, se edhe nuk ka pasur mundësi. Megjithatë unë them se prokurorët diçka kanë bërë sepse për sa kohë ne diskutojmë ata i kanë bërë. Ka çështje të nxehta që duhen mbyllur. Kësaj botës së krimit dhe botës së korrupsionit, mëri paratë sepse nuk ke bërë asgjë. T’i marrë atë që i ka vënë në mënyrë të paligjshme sepse nëpërmjet atyre parave blehen avokatë, mediat dhe opinion ndërkombëtar…”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: