Ekspertja e çështjeve financiare, Blerina Gjyriqi, e ftuar në emisionin ‘Kush Paguan’ në SYRI TV, me moderatoren Klaudja Karabolli, ka kritikuar Paketën Fiskale 2027, duke theksuar se masat e parashikuara duhej të ishin paraprirë nga një studim i detajuar për ndikimin e tyre në ekonomi dhe te konsumatorët.
Gjyriqi u ndal veçanërisht te ulja e TVSH-së për 54 produkte, duke argumentuar se kjo masë nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve për konsumatorët. Sipas saj, edhe përvojat e vendeve të rajonit që kanë zbatuar politika të ngjashme tregojnë se ulja e TVSH-së nuk reflektohet domosdoshmërisht në çmimin përfundimtar.
Ajo shpjegoi se ulja e TVSH-së mund të mos përkthehet në përfitim për qytetarët, pasi tregtarët mund ta mbajnë këtë diferencë në marzhin e tyre të fitimit, pa e reflektuar atë në çmimin që paguan konsumatori.
Në vend të kësaj, Gjyriqi sugjeroi që masat lehtësuese të orientoheshin drejt kategorive me të ardhura të ulëta, veçanërisht pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Sipas saj, këto kategori kanë nevojë për mbështetje më të drejtpërdrejtë dhe të studiuar, ndërsa pensionistët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare.
‘Unë mendoj që duhet patjetër që të ishte studiuar në mënyrë absolute para se të dilte kjo paketë fiskale. Duhej patjetër që siç e tha edhe Migena, fashoja e këtyre produkteve në mënyrë absolute nuk duhet të jetë 54 produkte, sepse 54 produkte rënia e TVSH-së, e para asnjë studim ose asnjë vend rajonal të cilët kanë aplikuar këtë TVSH, kanë treguar që nuk është se kanë një impakt te çmimi përfundimtar.
Që do të thotë nëse tregtari me pakicë, e kemi TVSH-në 6%, ky tregtar mund ta lërë te marzhi i fitimit. Nuk është se impaktohet, nuk është se shkon prapë te konsumatori përfundimtar. Ndërsa nëse ne kapim fashon e pensionistëve ose fashon e personave të cilët janë me aftësi të kufizuara që kanë të ardhura të pakta, të jashtëzakonshme.
Unë mendoj që duhet patjetër të ishin studiuar si fasho dhe ky lloj stimulimi të bëhej ndoshta dhe në forma të ndryshme për pensionistët, duke qenë që ne kemi më shumë se 1/3-ën e popullsisë aktualisht në Shqipëri janë pensionistë. Numri i tyre po shkon në 800.000, 700 e është rritur.
Është e drejtë që të bjerë numri i lindshmërisë, duke qenë që kushtet ekonomike nuk janë në mënyrë absolute të favorshme për çiftet e reja, duke filluar që nga çmimet e real estate’, u shpreh ekspertja Blerina Gjyriqi në SYRI TV.
© SYRI.net
VIDEO/ Qyra: Bizneset do ta kenë të vështirë rritjen e pagave në 2027, kostot e larta do të kufizojnë mundësitë
Turizmi apo dhomat plot me euro?! Monedha europiane ka humbur 35% të vlerës që nga viti 2016
Ekonomia gjermane po rimëkëmbet më shpejt nga sa pritej, rritja do të përshpejtohet në fund të vitit