Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Dublin të Irlandës, me ftesë të Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), ka komentuar protestat në Shqipëri, luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë. Përpara një audience ekspertësh të çështjeve europiane dhe të Ballkanit, si dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, Rama iu përgjigj pyetjeve mbi protestat kundër qeverisë dhe pretendimet për korrupsion.
I pyetur për pjesëmarrjen e qytetarëve në protesta, kryeministri kundërshtoi shifrën prej qindra mijëra protestuesish, duke argumentuar se nuk përputhet me popullsinë e vendit dhe përmasat e bulevardit. Rama pranoi se në Shqipëri ka probleme me korrupsionin, por pretendoi se qeveria po e lufton atë për herë të parë. Ai gjithashtu përsëriti pretendimin për ndërhyrje të huaj përmes rrjeteve sociale, duke përmendur Iranin, por theksoi se nuk kishte thënë që protestuesit ishin dërguar në shesh nga regjimi iranian.
Pyetje: Por ka qindra mijëra shqiptarë që kanë dalë në shesh edhe për korrupsionin apo probleme të tjera…
Rama: Qindra-mijëra është shifër që nuk përputhet me popullsinë tonë dhe përmasat e bulevardit. Në qershor pati vërtet disa protesta masive dhe u impenjuam për ta sjellë shtetin më parë shqiptarëve sa i përket shërbimeve online. Është fakt se ka pasur ndikim të huaj, nuk kam thënë se protestuesit janë dërguar në shesh nga regjimi iranian, por kam thënë se Irani ka futur duart përmes medias sociale. Pas fillimit të qershorit protesta nuk ishte e njëjta, nuk ka më flamingo. Ka zogj të tjerë dhe parti politike nga e djathta dhe e majta ekstreme. Pastaj kishte dhunë. A ka probleme me korrupsionin? Ka, por a jeni duke ndenjur me duar të lidhura apo po e luftojmë? Po e luftojmë për herë të parë. Deri para disa kohësh sistemi ishte korrupsioni. Jemi në pozitë të mirë.
Pyetje: Po zhvillohet një takim në Abu Dhabi për Ukrainën, por po diskutohet edhe arkitektura e sigurisë së Europës. Si e shihni situatën në luftën në Ukrainë? Keni ndonjë ide sesi mund t’i jepet fund gjithë kësaj?
Rama: Europa gjithnjë është prirur drejt diplomacisë, jo drejt armatimeve. Ky ishte gabim që në ditën e parë. Europa që ja jashtkontrakton këtë përpjekje për paqe Trumpit dhe Witkoff do të mbetet në histori si diçka e qortueshme. Që kur kam qenë fëmijë gjyshja ishte siguruar të më thoshte se fqinjët nuk janë zgjedhja jonë, po janë ato që janë. Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi, nuk do të thotë se lufta do të vazhdojë përgjithmonë.
