Gjatë tetorit, në muajin kundër kancerit, ndërsa fushatat në Shqipëri kanë qenë intensive, shqiptarët në Amerikë u bënë bashkë duke dhuruar 10 mijë dollarë për blerjen e aparatit të biosigurisë në spitalin e Korçës, një pajisje jetike që shërben për përgatitjen e kurave të kimioterapisë.
Sipas shpjegimit, aktualisht ajo funksionon por, është shumë e vjetërsuar dhe nuk garanton cilësi apo pastërti të përzierjesh..
Kjo organizatë bleu me një fond prej 103 mijë dollarë të gjithë repartin e kimioterapisë në këtë spital, përfshirë poltrona, respiratorë, monitorë apo frigoriferë…të gjitha pajisje që duhet ti kishte mundësuar ministria e shëndetësisë.
“Ne po flasim këtu për aparatura të cilat në vetvete janë të gjitha të një rëndësie të jashtëzakonshme, si në aspektin diagnostifikues dhe parandalues, ashtu edhe në aspektin trajtues. Në disa raste me një rëndësi jetike për pacientët dhe për qytetarët shqiptarë’ u shpreh Bardh Spahia, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë .
Ky është një tjetër fundraiser për blerjen e monitorëve për foshnjat, respiratorë dhe shumë pajisje të tjera, që, siç përshkruhet nga vetë organizata “do të ndihmojnë në shpëtimin e jetës së të porsalindurve në vendin tone”. Ndonjëherë nevojat janë bazike dhe neglizhenca aq therëse. Siç është rasti për një iktometër, një aparat që mat verdhëzën e të porsalindurve me prekje që i është dhuruar spitalit të Lushnjës. Nëse ky aparat mungon, matja e verdhëzës do bëhet me marrje gjaku të foshnjës nëpërmjet venave që është e dhimbshme… Siç edhe dëshmon vetë personeli, aparatura që kishin në dispozicion ishte plot 24 vjeçare..
Organizata thotë se ka kontribuar me 500 mijë dollarë për blerje aparaturash për spitalet publike në Shqipëri dhe ka ofruar asistencë për 200 pacientë me kancer.
Shpesh pajisjet e blera janë të thjeshta por të domosdoshme si motiorë, aspiratorë, respiratorë, apo ekg, një dëshmi e nevojave emergjente që kanë spitalet publike në vendin tonë.
Pajisjet mjekësore janë infrastruktura e heshtur e çdo sistemi shëndetësor. Ato janë elementi kyç në vendosjen e një diagnose të saktë. Dhe pa to nuk ka as kirurgji të sigurt dhe as trajtim modern.
“Shëndetësia nga kaluar nga sistemi nga diagnostikimi ishte vetëm në dorë të mjekut tani jemi në fazën e diagnostikimit në bazë të teknologjisë mjekësore. Teknologjia mjekësore është një rëndësie thelbësore, cilësinë e diagnoistikimit dhe kosto efektivitete”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor.
Varësisë nga donacionet nuk i ka shpëtuar as QSUT. Institucioni më I rëndësishëm publik kishte një rubrikë të veçantë, ku u kërkon qytetarëve që të kontribuojnë për të rritur cilësinë e shërbimeve, duke filluar që nga mikroskopët. Aktualisht kjo rubrikë është mbyllur pas debatit publik që shkaktoi një lajm i tillë. Megjithatë Inside Story ka arritur të ruajë disa njoftime ku kërkohet ndihmë për të blerë aparatura të ndryshme.
