Eisenkot paralajmëron Netanyahun: Asnjë aventurë ushtarake kundër Iranit pa formimin e qeverisë së re
Një përplasje e re politike ka shpërthyer në Izrael, këtë herë për mundësinë e një sulmi të ri ushtarak kundër Iranit. Gadi Eisenkot, i mandatuari për formimin e qeverisë së re dhe lideri i partisë Yashar, i ka kërkuar Benjamin Netanyahut të mos ndërmarrë veprime ushtarake me rrezik të lartë gjatë periudhës kur drejton qeverinë në detyrë.
Në një letër drejtuar Netanyahut, Eisenkot kërkoi vetëpërmbajtje të veçantë në vendimmarrjen për sigurinë kombëtare, deri në betimin e qeverisë së re, e cila duhet të ketë mbështetjen e parlamentit izraelit, Knesset.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve të televizionit izraelit N12 për një përplasje të re mes Netanyahut dhe shefit të ushtrisë izraelite, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, lidhur me mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit.
Eisenkot paralajmëroi se vendime të tilla nuk duhet të merren nga qeveria në detyrë, nëse mund të presin deri në formimin e kabinetit të ri. Ai theksoi gjithashtu se veprime të tilla mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet shtetërore dhe procesi i vendimmarrjes.
Përplasje mes Eisenkot dhe Netanyahut
Tensionet vijnë në një periudhë pasigurie politike, pas zgjedhjeve të 27 tetorit. Presidenti izraelit Isaac Herzog i ka dhënë Eisenkot mandat për formimin e qeverisë, fillimisht për 28 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera. Deri në përfundimin e këtij procesi, Netanyahu vijon të ushtrojë detyrën e kryeministrit.
Eisenkot i është drejtuar gjithashtu prokurores së përgjithshme Gali Baharav-Miara, duke kërkuar që të informohet rregullisht dhe në mënyrë të plotë për zhvillimet e sigurisë kombëtare dhe vlerësimet e shërbimeve inteligjente.
Nga ana tjetër, zyra e Netanyahut reagoi menjëherë, duke deklaruar se të gjitha vendimet e qeverisë merren mbi bazën e interesit të sigurisë kombëtare dhe në koordinim të plotë me drejtuesit e ushtrisë.
Ajo akuzoi Eisenkotin se po përpiqet të politizojë çështjet e sigurisë kombëtare dhe e cilësoi të papërgjegjshme publikimin e deklaratave për çështje të ndjeshme ushtarake.
Eisenkot iu përgjigj duke vënë në pikëpyetje arsyen pse Netanyahu refuzon t’i japë atij informacione operative përmes kanaleve zyrtare. Ai gjithashtu e akuzoi kryeministrin në detyrë se po përpiqet të shtyjë mbledhjen e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knessetit.
Për momentin, bëhet fjalë për mosmarrëveshje politike dhe ushtarake lidhur me mundësinë e një operacioni të ri kundër Iranit dhe jo për një vendim të konfirmuar për sulm.




